Shqipëria i ka dorëzuar sot publikisht kërkesën Komisionerit të BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič, për t’u bërë anëtare e mekanizmit për mbrojtjen civile.

Në një konferencë për media, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria i ka plotësuar kriteret për t’u bërë pjesë e këtij mekanizmi, ndërsa shtoi se ky mekanizëm është krijuar për të përballuar së bashku momentet kritike.

Rama: Ky mekanizëm është krijuar nga vendet e BE për të përballuar së bashku momente kritike në secilin prej vendeve. Kjo do të thotë se kur flasim për një zjarri që bie dhe merr përmasa, në Shqipëri vjen një, dy apo tre mjete nga ky mekanizëm, kjo nuk është për të qarë hallin, sepse këtë e bëjnë të gjithë, edhe vendet më të fuqishme, po ju them Greqinë, që përballet me zjarre shumë më intensive se ne falë këtij mekanizmi, me ndihmën e këtij mekanizmi. Kjo që bëjmë sot nuk është diçka që mund ta bënim dje, nuk është çështje dëshire, se duam ne dhe po futem në këtë union apo u kujtuam se po futemi, por kjo vjen si rezultat i reformave që kemi bërë. Jo më larg se sot komisioni do të vizitojë qendrën që është ngritur dhe funksionon për emergjencat civile. Pra, besoj se ne kemi bërë një transformim kolosal të strukturës së Mbrojtjes Civile, por ka ende shumë për të bërë.

Nga ana tjetër, komisioneri i BE tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm për të ofruar ndihmë këtë verë, nëse do të ketë situata të vështira me zjarret. I pyetur për fondet e rindërtimit, ai tha se “Kam informacion se fondet janë shpenzuar mirë, jo të gjitha ato, sepse nuk janë përfunduar të gjitha proceset”.

Pyetje: A planifikon BE të ofrojë ndihmë për shuarjen e zjarreve gjatë verës?
Komisioneri i BE: E mbani mend që vjet në verë Shqipëria u përball me shumë zjarre, si pothuajse çdo vend tjetër në Mesdhe. Shqipëria ka qenë një nga ato vende, që kanë kërkuar asistencë dhe kjo ndihmë ju dha vjet nga mekanizmi i BE. Në rast se do të ketë nevojë këtë verë, mekanizmi i BE është i gatshëm të ndihmojë, por nuk duhet të mendojmë se çfarë e bën këtë mekanizëm të funksionojë kaq mirë. Është solidariteti i vendeve anëtare. Ne organizohemi, bashkërendojmë punën dhe mbulojmë edhe një pjesë shumë të madhe të financimit, që kërkohet për këto punë të mëdha. Edhe këtë verë jemi gati, sepse mendojmë se do të ketë zjarre. Ky është plani që ne kemi.

Sa i përket pyetjes për fondet e rindërtimit, nuk është fushë e drejtpërdrejtë e mandatit tim, por unë kam dëshirë të shoh si kanë ecur punët. Prandaj, nesër në mëngjes unë do të shkoj për vizitë në disa nga ambientet që janë financuar për rindërtim nga BE. Do të shkoj në një kopsht në Durrës. Gjithsej janë dhënë nga BE 75 milionë euro për rindërtimin e shkollave e kopshteve. Kam informacion se fondet janë shpenzuar mirë, jo të gjitha ato, sepse nuk janë përfunduar të gjitha proceset. Nuk janë çështje të lehta këto, sepse rindërtimi do që të merren të gjitha masat, që godinat që rindërtohen t’i bëjnë ballë tërmeteve, larg qoftë nëse ka, pra janë gjëra që kërkojnë kohë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe plani është që ato që kanë mbetur, të përfundohen brenda këtij viti. Nesër do të vizitoj edhe kullën veneciane në Durrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb