Kryetari i komunës së Tuzit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, thotë se ai ka informuar partnerët ndërkombëtarë të Malit të Zi, duke përfshirë SHBA-në, se vendi po diskriminon pakicën e tij shqiptare.

“Qeveria diskriminon shqiptarët dhe nuk bashkëpunon me komunën tonë. Arsyet janë të ndryshme, por kjo është kryesisht për shkak të urrejtjes që ata kanë për njerëzit që jetojnë në këtë zonë”, tha Gjeloshaj për BIRN, duke iu referuar ankesës së tij të ditës së mërkurë.

“Kam informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për këtë, deri në Departamentin Amerikan të Shtetit. Jemi gjithashtu në komunikim të drejtpërdrejtë me lobistët tanë në organizatat amerikane dhe shqiptaro-amerikane”, shtoi ai.

Gjeloshaj protestoi në fillim të këtij muaji se buxheti i shtetit i këtij viti nuk përfshinte asnjë investim në Tuz, duke theksuar se kjo do të ngadalësonte projektet infrastrukturore në komunë.

Komuna kishte planifikuar një buxhet prej 5.8 milion eurosh këtë vit bazuar në strategjinë e ish-qeverisë, por më 31 mars qeveria e re njoftoi se do të reduktojë shpenzimet publike me 170 milionë euro.

“Ne e paralajmëruam qeverinë se kjo mund të ngadalësojë projektet tona lokale, por fatkeqësisht nuk morëm asnjë reagim. Kjo tregon se kjo qeveri po punon në një mënyrë të organizuar për kolapsin e komunës së Tuzit si qëllimin përfundimtar”, tha Gjeloshaj për BIRN.

Mali i Zi zgjodhi një qeveri të re më 4 dhjetor, pasi tre blloqe të ish-opozitës fituan ngushtë zgjedhjet parlamentare gushtin e kaluar dhe rrëzuan Partinë Demokratike të Socialistëve e cila kishte qeverisur që nga fillimi i viteve 1990.

Kryetari i komunës së Tuzit u përplas me qeverinë e re më 25 shkurt, rreth masave të vendosura për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Gjeloshaj u bashkua me qytetarët lokalë të cilët bllokuan rrugën kryesore për në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Zdravko Krivokapiç dhe zv/kryeministrin Dritan Abazoviç për presion politik mbi koalicionin qeverisës në qytet.

Prokurori i Shtetit ngriti padi penale kundër Gjeloshaj për shkelje të masave shëndetësore, ndërsa Krivokapiç e akuzoi atë për provokim të tensioneve.

Qyteti me shumicë etnike shqiptare me rreth 15,000 banorë është qendra e zonës së Malësisë që kufizohet me kryeqytetin Podgoricë nga njëra anë dhe shtrihet deri në kufirin me Shqipërinë nga ana tjetër.

Komuna drejtohet nga një koalicion etnik shqiptar dhe partia boshnjake, të cilët janë në opozitë në nivelin shtetëror.

Mali i Zi është një shtet multi-etnik dhe nuk ka asnjë komunitet dërrmues që të përbëjë mbi gjysmën e popullsisë së tij. Rreth 45 për qind e popullsisë identifikohen si malazezë dhe rreth 29 për qind si serbë. Shqiptarët etnikë përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë. /BIRN/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb