Këtë paradite në ambientet e stadiumit “Air Albania” është duke u kryer vaksinimi i personaliteteve mbi moshën 80-vjeç.

Regjisori i njohur Piro Milkani, është pjesë e listës së personaliteteve që do të vaksinohen gjatë kësaj të diele.

Teksa doli nga ambientet ku po kryhet vaksinimi, Milkani tha se ndihet shumë mirë dhe shtoi se vaksinimi është në dobinë e të gjithëve.

Regjisori bëri një krahasim me gripin spanjoll, të ndodhur 100 vite më parë. Milkani nënvizoi se ndryshe nga pandemia e atëhershme, ku humbën jetë miliona njerëz, këtë herë ai shpreson se do i rikthehemi shumë shpejt normalitetit.

“Pas 6 mijë qytetarëve të nderuar të Republikës së Shqipërisë, siç janë mjekët, infermierët personat e azileve. Kam këmbën e mbarë, por tani miqtë e mi do të kenë nderin të vaksinohen. Vaksina është gjëja më e mirë e kësaj pandemie të keqe. Nëse 100 vite të para gripi spanjoll mori miliona jetë, ndërsa tani unë mendoj që shpejt do i rikthehemi normalitetit. Vaksina është një gjë shumë e mirë”, u shpreh Milkani.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb