Klodian Ciruna, 41- vjeçari që u arrestua të enjten për mashtrimin 1 milion eurosh të 3 ndërtuesve, i ka shpëtuar burgut edhe në dy raste të mëparshme që ka zhvatur shuma të konsiderueshme parash.

Disa vite më parë, ai përvetësoi 750 mijë euro nga njerku i tij, të cilit i premtoi se do ta ndihmonte për përfitimin e lejeve koncesionare, si dhe për të ndërtuar një hidrocentral. Premtime të tilla i bënte duke u shprehur te të afërmit dhe rrethi i tij shoqëror, sikur kishte lidhje të forta me zyrtarë të pushtetit qendror dhe vendor.

E megjithëse shuma që i mori bashkëshortit të nënës së tij ishte e konsiderueshme, Ciruna arriti t’i shpëtonte burgut në rrethana të paqarta. Ashtu sikurse edhe në një tjetër rast mashtrimi të disa viteve më parë, kur i përvetësoi 37 mijë euro një shtetasi italian, para që ai ia kishte dhënë për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Kësaj here, Klodian Ciruna u arrestua për mashtrimin e 3 ndërtuesve, të cilëve dyshohet se u ka marrë rreth 1 milion euro, me premtimin se do u nxirrte leje ndërtimi në Itali. Ai është arrestuar gjatë operacionit të koduar “Lucia”, që u organizua të enjten nga oficerët e Antikrimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Arrestimi i tij është kryer për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, ndërsa ka nisur edhe hetim pasuror për sekuestrimin e të ardhurave që ka përfituar nga kjo skemë.

MASHTRIMI

Gjatë operacionit të koduar “Lucia”, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës arrestuan 41- vjeçarin Klodian Ciruna, i skeduar dhe më parë për mashtrim. Sipas Policisë, ky person, që hiqej si biznesmen, u ka marrë rreth 1 milion euro tre personave, duke u premtuar leje ndërtimi në Itali. Shtetasit me iniciale P.K., L.D., dhe B.H., kanë denoncuar 41-vjeçarin në zyrat e Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës dhe menjëherë nisën hetimet në bashkëpunim me organin e Akuzës për dokumentimin e veprimtarisë së tij kriminale.

Nga hetimet ka rezultuar se Klodian Ciruna kishte përfituar shuma të konsiderueshme valute përmes premtimit të lejeve të ndërtimit dhe për të qenë sa më bindës, ai u kishte thënë se operonte me një studio avokatie në Milano.

Madje, herë pas here u ka dërguar të dëmtuarve e-maile false, në emër të një studioje që në fakt drejtohej nga persona të tjerë, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me të. Policia e Tiranës njoftoi të enjten se nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lucia”, u bë ndalimi i shtetasit Klodian Ciruna, 41 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal për mashtrim. “Shtetasi i ndaluar u ka marrë shtetasve P.K., L.D., dhe B.H., një shumë prej 1 milion eurosh, duke iu premtuar se do t’u siguronte leje ndërtimi”, tha dje Policia.
PANORAMA- http://www.panorama.com.al/kam-lidhje-te-forta-me-pushtetare-mashtruesi-i-shpetoi-dy-here-burgut-zhvati-edhe-njerkun-me-premtimin-se/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb