Për Tgcom24 gazetarja Olga Bibus ka dhënë dëshminë e saj për luftë në Ukrainë dhe telefonatën disa ore para bombardimeve me gjyshërit. Gjyshërit e saj jetojnë në Kherson, midis Odessa dhe Krimesë. “Na kërcënojnë prej tetë vjet, nuk duan të shkaktojnë një luftë botërore?” më thanë dje.

“Jo, rri e qetë, nuk do të sulmojnë, ata nuk duan të shpërthejë një luftë botërore. Kanë tetë vjet që na kërcënojnë, jemi mësuar’. Fjalët e gjyshit tim, vetëm disa orë para sulmit, në një telefonatë në WhatsApp, më vinin në mendje, teksa përpiqej të më qetësonte, kur këtë mëngjes, sapo u zgjova lexova lajmin e bombardimeve.

Gjyshërit e mi jetojnë në Kherson, unë kam lindur atje. Është një qytet në jug të Ukrainës. Një tokë rusisht-folëse me shpirt ukrainas, me rrënjë të rrënjosura në të dy vendet. Erdha në Itali kur isha fëmijë dhe më pyesnin se nga vija. Për vite të tëra nuk dija të jepja një përgjigje. Kam lindur në Ukrainë, flas rusisht, por as ruse nuk jam, edhe pse në të vërtetë gjithë familja ime është me origjinë prej andej. Pra se nga vija nuk e dija as unë. Vetëm prej pak ditësh e kuptova që ai dualitet që e ndjeja timin është pjesë e historisë së asaj toke, në emër të së cilës sot luftohet, por që sigurisht nuk donte ta lironte askush, sepse nuk ndihej e burgosur. Gjyshi im ka studiuar në Akademinë detare të Kherson, ishte kapiten mekanik në Marinën detare, ka shëtitur botën dhe pikërisht për këtë arsye i besova fjalëve të tij. ‘Ka përjetuar në jetën e tij shumë situata emergjence, dhe di çfarë thotë’, përsërisja me vete.

Por në mëngjes, teksa hapa Instagramin dhe TikTokun nuk mund ti besoja syve të mi. Odessa, Kharkiv, Kiev ishin sulmuar. Qyteti ku kam lindur gjendet pikërisht në mes të tyre. E ndan me Krimen vetëm një urë. Pikërisht nëpërmjet asaj ure, më thanë që ushtarët rusë mbërritën në qytet. Shumë njerëz janë fshehur në bunkerë të improvizuara, metro, ka nga ata që janë fshehur nëpër fshatra. Marr sërish gjyshërit e mi në telefon, ata janë në makinë të terrorizuar, teksa shëtisin nëpër supermarkete për të blerë ushqime, por thonë që vitrinat janë të boshatisura ose ka radhë kilometrike.
E mbyll telefonin dhe kërkoj një zgjidhje, ata mund të arrijnë në Leopoli dhe prej andej të shkojnë në Poloni, që është BE dhe kështu unë mund të shkoj t’i marr. Mendoj dhe mallkoj veten që nuk e kam menduar më parë, që e kam lënë veten të bindem nga sigurimet e tyre.

Me kalimin e orëve, lajmet bëhen gjithnjë e më të tmerrshme. “Po i presin ujin”, siguron një politikan i qytetit që preferon të mbetet anonim dhe që ndërkohë është fshehur në një lloj bunkeri bashkë me dhjetëra persona të tjerë.

Rrugët e Khersonit janë bosh, burrat janë të detyruar të regjistrohen për luftë, gratë dërgohen në shtëpi nga ushtria. Shpresojnë, luten, mbyllur në shtëpi. Kryesisht shohin Telegram dhe TikTok për përditësime. “Shpresojmë që të vazhdojmë të lidhemi me internetin, derisa ndonjë haker mos na hedhë në erë’, thonë disa.

Ndërkohë nga rrjetet sociale mbërrijnë pamje të sulmeve të reja, të një avioni të rrëzuar dhe në Telegram nis numërimi i viktimave nga sulmet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb