TIRANË

Rrëfim prekës nga Spitali Infektiv ku ndodhen një pjesë e madhe e të sëmurëve me COVID-19 në gjendje jo të mirë shëndetësore. Familjarët presin për ndonjë fjalë a lajm për të afërmit e tyre dhe ende shpresojnë por ankohen për mungesë informacioni.

Një qytetare tregoi për gazetarin Erjon Skëndaj se nëna e saj ka ardhur në gjendje më të mirë dhe me një burim oksigjeni por se tani është përkeqësuar dhe i kanë thënë se nuk ka shpresa.

“Kam mamin këtu, nuk kam marrë informacione. Kushtet brenda janë skandaloze. Mami sa ishte me gojë e fliste, më thoshte nuk më japin ujë, më thahet goja, mbushin nga rubineti. Nuk më ndërrojnë. Doktoresha më ka thënë që është para intubimit, nuk bëhet më. Nuk e kam takuar doktoreshën. Iu kam kërkuar t’i japin vetëm pak ujë. Dje ia hoqën pak i dhanë ujë, piu pak e lagu buzën. Sa i vënë aparaturat nuk duan t’ia dinë më. Koordinatorët janë të patrajnuar, sillen shumë keq. Nuk japim dot informacion thonë. Të paktën t’i japin bebelinat. Kam 8 ditë këtu. 6 ditë kam fjetur në makinë dhe 2 ditë në hotel. Kur erdhi ishte në gjendje të mirë, fliste, me një burim oksigjeni ka qenë. Tre ditë ishte ashtu. Më thoshte pse ankohesh jashtë se më bërtasin brenda. Çfarë të them. Jam pishman që e solla këtu. I thashë doktoreshës ma jep ta çoj në shtëpi, ta shtrëngoj në krahët e mi, të japë frymën e fundit. Ne nuk jemi kafshë, jemi njerëz, na dhemb shpirti, na dhemb xhani. Të na thonë një fjalë, të ketë një zyrë informacioni, të marrim informacion, siështë gjendja”, tha gruaja e re.

Gazetari Skëndaj raportoi për ‘BalkanWeb” se në harkun e 30 minutave kanë dalë dy trupa të pajetë nga Infektivi, ndërkohë që janë referuar tre urgjenca mjekësore, njëra nga spital privat.

“Në javën që lamë pas ky spital ka pasur më pak urgjenca se dy javë më parë. Nga 15 gushti, të gjitha urgjencat nga Tirana referohen në spitalin Infektiv. Kjo solli një ngarkesë shumë të madhe dhe bëri zbrazjen e Sanatoriumit, ku janë rreth 130 të shtruar. Në përgjithësi ka rënie në Sanatorium nga 210 shtretër që ka qenë maksimumi. Kjo rënie e numrit të shtretërve ka ndikuar direkt në shërbimin në spital ku punohet në kushte më komode.

Barra më e rëndë i bie personelit ndihmës mjekësor, që një javë më parë kishin mbi 15 pacientë nën mbikëqyrje, ndërsa tani ka rënë në 8 pacientë. Ndërsa personeli në Infektiv punon në një regjim në 80 shtretër”, tha Skëndaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb