Pas thirrjes së dëshpëruar të një zonje nga Lushnja që vuan nga talasemia, e cila apelonte për ndihmë për gjak, vjen reagimi nga presidenti Ilir Meta. Ky i fundit ka zhvilluar një takim me Lefteri Dedejn nga fshati Konjati, e cila tregoi se prej 4 muajsh kishte marrë vetëm një qese gjak. Rasti i zonjës në fjalë u bë publik në emisionin “Fiks Fare”.

Zonja Dedej kërkonte gjak në spitalin e Lushnjës “Ihsan Çabej” por mjekët pretendonin se nuk ka dhe se duhet të gjente vetë një dhurues për ta ndihmuar. Pasi u njoh me rastin në fjalë Meta fillimisht nëpërmjet kabinetit të tij kontaktoi drejtuesit e emisionit dhe premtoi se në kuadrin e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” shumë shpejt do të organizonte një seancë dhurimi gjaku për t’i shkuar në ndihmë jo vetëm zonjës Dedej, por edhe të gjithë atyre banorëve në këtë bashki që kanë nevojë për gjak.

Dhe këtë të martë, Meta e mbajti premtimin, teksa priti së pari në zyrë zonjën dhe më pas së bashku udhëtuan drejt një klinike private ku u organizua një seancë për dhurimin e gjakut nga studentë dhe të rinj për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të Lushnjës që kanë nevojë.

“Është krijuar një shqetësim që unë mendoj që është e panevojshëm, por që për ju është jetik. Edhe unë jam njohur nga mediat për këtë shqetësim. Këto janë raste për të reflektuar dhe për të përmirësuar më mirë funksionimin e gjithë këtij mekanizmi pasi unë besoj se ne i kemi të gjitha kapacitetet që të mos kemi asnjëherë raste të tilla. Falënderoj edhe emisionin Fiks Fare për këtë raportim dhe shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten më”, -tha Meta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: