Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi nga foltorja e Kuvendit se nga agjencitë e ndryshme të zbatimit të ligjit në disa vende të Bashkimit Evropian janë identifikuar lidhje të shumta të krimit në Shqipëri me zyrtarë të shtetit shqiptar.

Në një replikë me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, Berisha tha se gjithçka që ai nxjerr nga goja e ka shpifje dhe për këtë do të dënohet.

“Sa për hyrje, ministrja e Kulturës i jep 492 milionë lekë firmës belge ku punon vajza e zonjës Linda Rama. Kjo s’kishte të bënte me replikën. Dua t’i them parafolësit (Ballës) se si çdo fjalë që nxjerr nga goja edhe ato që tha gjykata i ka dënuar për shpifje. I bindur të jesh se çdo gjë që të thuash këtu, do dënohesh siç je dënuar deri sot, për shpifje.

Së dyti, kam uruar Kosovën pa ardhur këtu, për Pavarësinë. Nuk e uroj këtu me ju, sepse ju nuk e votuat ligjin për gjenocid. Në një akt të shëmtuar, antikombëtar, ligji për gjenocid serb nuk u votua. Kreu juaj, një vasal i Vuçiçit, që lobon në SHBA për Vuçiç, sulmon Sali Berishën. Asgjë nuk të shpëton nga lidhjet që ke me krimin. I kam denoncuar e do t’i denoncoj, por kam një lajm shumë të veçantë sot.

Sipas raportimeve të mediave, agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit, rezulton se janë identifikuar lidhje të shumta të krimit në Shqipëri me zyrtarë të shtetit shqiptar. Ministra, drejtorë, zyrtarë, prokurorë, punonjës policie. Këto të dhëna gjenden aktualisht pranë agjencive të këtyre vende, Italisë, Belgjikës”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb