Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë pasdite në Konferencën Vjetore “State of the Union”, organizuar nga Instituti i Universitetit Europian, ku foli për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe marrëdhëniet me Turqinë dhe Presidentin Erdogan.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria rrethohet nga kufijtë evropianë, ndaj dhe nuk duhet lënë si një zonë gri, ku interesa dhe aktorë të tjerë të mund të ndërhyjnë.

Sa i përket Turqisë, Rama tha se ka marrëdhënie shumë të mira me këtë vend dhe me Presidentin Erdogan, por sipas tij, nuk ka asnjë ndikim të tyre në Shqipëri.

“Ndonjëherë është e mundimshme ta bësh të qartë, sepse ka opinione të ndryshme që vijnë nga jashtë lidhur me mënyrën si t’i qasemi Evropës. Është shumë e qartë për ne që Evropa nuk është alternativë, por është vendi që ka të njëjtën vlerë sot që ka pasur kur etërit themelues e përfytyruan. Ndoshta jemi naivë, ndoshta jemi si të gjithë ata që para se të martohen janë shumë entuziastë dhe nuk duan të dëgjojnë përvoja, por kështu është. Ne nuk shohim asnjë faktorë e aktorë si një alternativë kundrejt Evropës. Për ne procesi i integrimit është një instrument fantastik për të modernizuar vendin tonë dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të mirëfilltë evropian, i gatshëm për t’u bërë anëtar i BE, por pavarësisht nëse është vend anëtar apo jo, të jetë vend evropian.

Kam një mendim të fortë, që Evropa, BE, ka nevojë për ne, jo vetëm për Shqipërinë, por për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE. Për qëllimin e një unioni më integral, më të sigurt. Unë nuk e kam të qartë, nuk është e qartë për mua si mund të vihet në diskutim kjo gjë. Ne rrethohemi nga kufijtë evropianë, ne jemi brenda Evropës. Të kesh këtë fqinjësi të paintegruar, ta lësh si një zonë gri, ku të tjerë interesa e aktorë mund të ndërhyjnë, është shumë e qartë: që alternativa e integrimit të plotë është shumë e realizueshme, shumë e sigurt, se çdo lloj alternative tjetër. Sa i takon Turqisë, kam opinionin tim të fortë që Turqia është themelore për sigurinë e BE dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Historia e marrëdhënieve është e ndërlikuar, por nuk ka dyshim, mendoj se Turqia është kyçe për sigurinë dhe sigurimin e BE. Por edhe BE është kyç për një Turqi më të fortë.

Kur vjen fjala te rajoni, por edhe te Shqipëria, më duhet ta bëj të qartë që kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë. Për ne Turqia është partner strategjik. Marrëdhënia jonë me presidentin Erdogan është shumë e mirë, por dua ta bëj të qartë se nuk ka asnjë shenjë të asaj çka pretenduar e pretendojnë disa burime se Presidenti Erdogan e Turqia po ushtrojnë në Shqipëri e rajon. Kur shoh e lexoj lajme shumë të rreme për xhami që ndërtohen në Shqipëri për të ushtruar ndikim, nuk është e vërtetë. Kur bie fjala te xhamitë jemi shumë mirënjohës për të gjithë projektin e restaurimeve të trashëgimisë historike që kemi, qofshin këto xhami, kisha, etj. Kaq është. Gjëja tjetër është xhamia e Tiranës, ku kanë kontribuar për komunitetin mysliman, pasi kemi një katedrale të madhe ortodokse e katolike, por mungonte kjo xhami e madhe dhe komuniteti mysliman turk kontribuoi për këtë. Nuk shoh në asnjë lloj mënyre ndikim. Edhe sa i përket çështjes mes Turqisë e Greqisë, në asnjë moment dhe asnjëherë ne nuk kemi pasur asnjë shtysë nga ana turke për të bërë diçka”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb