Ashtu si të gjithë qytetarët shqiptarë edhe deputetët janë të detyruar të zbatojnë kufizimet e vendosura për shkak të epidemisë së COVID-19.

Një prej tyre deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni ka ndarë në një lidhje me News24, eksperiencën e saj të këtyr e ditëve. Ajo tha se e vështirë ka qenë mungesa e takimeve me të atin që jeton i vetëm.

“Mbyllja dhe shkëputja nga jeta shumë e ngarkuar është ndryshe. Ka qenë edhe një periudhë reflektimi për të kuptuar çfarë po ndodh, çfarë duhet bërë më mirë. Vajza vazhdon mësimin online, djali në shtëpi, bashkëshorti vazhdon punën ndërsa unë kam punuar nga shtëpia.
Në shtëpi gatuaj më shumë, pastroj më shumë, rregulloj raftet. Babin e kam vetëm dhe e kam shumë shqetësim. Kam një muaj që nuk e kam parë, i çoj ushqime, emocionalisht është shumë e rëndë. Barra më e madhe i bie gruas në shtëpi”, tha deputetja e PS-së.

Ajo foli më tej për nismën e marrë bashkë me një kolege të saj për dhunën në familje dhe ashpërsimin e dënimeve për këtë vepër penale. Ndërkohë Gjermeni deklaroi se në një periudhë izolimi si kjo që po kalojmë pritet rritje e rasteve të dhunën dhe sulmeve në familje por se për shkak të frikës denoncimet mund të jenë më të ulëta.

“Rastet e denoncimeve nuk janë të shumta, por rastet e denoncimeve nuk tregojnë gjithmonë nivelin e dhunës. Në situata të tilla siç jemi, ku niveli i stresit është më i madh nga izolimi po, frika është e madhe për të denoncuar.
Punonjësit e policisë kanë marrë udhëzime për të ndjekur në mënyrë eksplicite rastet e dhunës në familje.
Nga të gjitha raportet e dala për situatën e COVID-19 thuhet se pritet të rritet niveli i dhunës në familje, dhunës seksuale.
Kemi depozituar para disa muajsh ndryshime në kodin penal, në kodin e procedurës penale dhe ndryshime në ligjit për masat e dhunën në marrëdhënie familjare. Për të ashpërsuar masat, për të penalizuar çdo akt të dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje.
Ndryshimet e kërkuara nga ne, në kodin penal, janë për ashpërsimin e dënimeve për disa vepra penale.
Një nga këto, largimi nga banesa i dhunuesit. Do t’i kërkohet të marrë pjesë në programe trajtimi psiko-sociale. Parashikohet që organi i policisë në momentin që një viktimë denoncon ka detyrimin ta referojë rastin në prokurori. Kjo do të bëjë që prokuroria ta fillojë hetimin dhe të kërkojë masën e arrestit për dhunuesin”, u shpreh Gjermeni.

Ajo tha më tej se këto ndryshime do të diskutohen në komision duke nisur nga e marta.
“Kanë disa muaj që janë depozituar, u shtynë mbase nga kjo periudhë e izolimit. Ditën e martë do diskutohen në komisionin e ligjeve. Këto janë ndryshime të kërkuara nga ne si dy deputete e do marrim feedbackun dhe të kolegëve. Në të njëjtën kohë kemi pritur dhe sugjerime komente nga Organizata të Shoqërisë Civile”, deklaroi Gjermeni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb