Holanda e trajnerit Louis Van Gaal do të përpiqet të mposhtë Argjentinën e Lionel Messit në çerekfinalet e Kupës së Botës “Katar 2022”. Një mision i vështirë por jo i pamundur për kombëtaren e “tulipanëve”, që kanë mjaft talente në përbërje. Gjithsesi, trajneri Van Gaal mendon më shumë se si të ndalë Messi.

“Ai është lojtari më i rrezikshëm i Argjentinës, i aftë të krijojë dhe shënojë. Por kur humbet topin nuk merr pjesë në aksion, ndaj kjo na jep mundësi të sulmojmë, shënojmë e fitojmë”, është komenti i trajnerit holandez në lidhje me mundësinë që ka ekipi i tij për të fituar këtë sfidë.

“Unë kam një plan për ta ndalur Messin, të cilin do ta shihni të premten në fushë”, tha Van Gaal, që i njeh mirë aftësitë e yllit të botës. Edhe kapiteni Van Dijk pohoi se Messi mbetet rreziku kryesor, por Holanda ka shanset e veta për të mundur Argjentinën.

“E njohim mirë, por nuk di se si do ta ndalim, këtë gjë e di trajneri. Messi ka 15 vjet që bën diferencën në sportin tonë dhe do të jetë nder të luajmë kundër tij. Edhe ne kemi shanse, pasi luan Holanda kundër Argjentinës. Asnjë sportist nuk mund t’ia dalë dot mbanë i vetëm, ndaj duhet të punojmë të gjithë së bashku për të ndalur Messin dhe Argjentinën”, përfundoi Van Dijk.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb