Sopranoja Ramona Tullumani flet në “Dola te Ola” për jetën e saj profesionale, “Kam patur një guxim të madh në skenë”

Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishin të ftuar producenti Edmond Tullumani dhe vajza e tij sopranoja e njohur, Ramona Tullumani.
Ramona rrëfeu se shfaqja e saj e parë ka qenë në vitin 2010 në Teatrin e Operës dhe Baletit me “Rigoletto”, nga Giuseppe Verdi, në rolin e Xhildës. Ajo zbuloi se që në fillim të karrierës së saj ka patur një guxim të madh në skenë, për të cilin sot edhe ajo vetë habitet.
Edmondi gjatë bisedës tregoi një moment shumë të bukur të karrierës së saj, e cila lidhet edhe me origjinën e Ramonës. Bëhet fjalë për performancën e saj të parë në Operën e Sofjes, ku Ramona kishte shkuar me anë të një agjencie italiane.
Ata zbuluan se stërgjyshi i saj, Georgi Lillov, ka qenë inxhinier zbatues në Operën e Sofjes, ndërkohë gjyshi i saj Ramiz Kovaçi ka kënduar. Teksa këtë gjë e kishte mësuar drejtori i Operës, njëkohësisht edhe regjisori i shfaqjes, ishte befasuar dhe e kishte ndarë edhe me publikun para shfaqjes.

Ndërkohë Ramona rrëfeu edhe një surprizë tjetër që kishte marrë prej tyre. Ajo tha se në momentin që kishin marrë vesh se ajo kishte ditëlindjen më 5 korrik, një nga “Traviatat” e kishin lënë po atë datë, duke e surprizuar edhe në skenë me buqeta me lule.

Babë e bijë folën gjatë në studio për karrierën e Ramonës, teksa dhanë edhe lajmin e bukur se më 2 prill sopranoja e njohur do të këndojë në Carnegie Hall në Nju-Jork.

Mbrëmja në “Dola te Ola” u mbyll me këngën “Kur jemi bashkë ne të dy”, me një performancë të shkëlqyer të Edmond e Ramona Tullumanit dhe vëllezërve korçarë, Endri dhe Stefi Prifti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb