Radhë të gjata pensionistësh në dyert e Qendrave Shëndetësore në Berat. Qytetarë të moshave 70 dhe 80 plus prej mëngjesit të sotëm kanë pritur në radhë të panumërta përpara Qendrave Shëndetësore për të kryer vaksinimin kundër COVID-19.

Me orë të tëra, në mes të rrugës dhe në këmbë vijojnë të qëndrojnë jo vetëm pensionistë të moshave mbi 70 vjeç që presin të kryejnë dozën e parë të vaksinës Sinovaks por edhe ata të moshave mbi 80 vjeç që presin të kryejnë dozën e dytë të vaksinës Astra Zeneca.

Edhe në Qendrën Shëndetësore në qendër të qytetit të Beratit vijojnë dyndjet dhe radhët e shumta të pensionistëve që presin të bëjnë vaksinën. Të njoftuar dy ditë më parë për injektimin e dozës së dytë të vaksinës, pensionistët kanë pritur me orë, ndërkohë që shumë të tjerë vazhdojnë ende të presin në radhë në mes të rrugës për shkak se brenda ambienteve të Qendrave Shëndetësore nuk ka vend për të qëndruar.

Prej ditësh, edhe personeli mjekësor i Qendrave Shëndetësore ka ngritur shqetësimin se ambientet nuk janë të mjaftueshme dhe se qendrat kanë shumë pak personel, që e ka të pamundur përballimin e këtij fluksi vaksinimi. Pensionistët shprehen se janë duke u sfilitur nga pritja prej disa orësh në këmbë dhe në mes të rrugës për të injektuar vaksinën. Sipas tyre, kjo gjendje nuk është normale dhe është e papërballueshme për një njeri të moshës së tyre, që janë edhe me ilaçe për tensionin dhe zemrën, të rrijë në këmbë për orë të tëra për të bërë një vaksinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb