TIRANE- Në dosjen e siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala në lidhje me çështjen hetimore të Tom Doshit, Mark Frrokut e Durim Bamit të cilët akuzohen për “kallëzim të rremë”, sikur do të vritej Tom Doshi ka detaje të pa publikuara ndonjëherë.

Në dëshminë e tij, Durim Bami ka deklaruar se është thirrur në kafe nga Tom Doshi, i cili i ka thënë se kishte dëshirë ta ndihmonte dhe se donte të njëjtin përkushtim edhe nga ana e tij.

Ka qënë deputeti Tom Doshi ai që i ka telefonuar dhe i ka kërkuar të pinë një kafe në lokal “Antika”, pronë e Tom Doshit në zonën e Shallvareve.

“Gjatë bisedës Toma i ka thënë: Kam qejf me të ndihmu, por dua edhe t’i të më ndihmosh për diçka që unë do të kërkoj dhe ai (Durimi) i është përgjigjur: Nëse është diçka që bëhet, do mundohem të të ndihmoj”, -thuhet në dosje, raporton “BalkanWeb”.
Doshi, Frroku Bami(Në foto: Tom Doshi, Durim Bami, Mark Frroku)
Në ato momente Toma i ka shpjeguar se donte të bënte të besueshëm faktin se kanë dashur ta vrasin dhe personi që kishte urdhëruar vrasjen e tij ishte Ilir Meta. Durimi po ashtu ka treguar se pasi të deklaronte diçka të tillë do shpërblehej nga Tom Doshi, shumën nuk ia kishte thënë, por se do të ishte diçka e majme.

Nga ana tjetër në dosje përmendjen edhe emrat e dy punëtorëve të restorant “Antikës”, Dorjan Xheraj, Dallandyshe Mulaj që deklarojnë se e kanë parë Durim Bamin të qëndronte në lokal bashkë me Tom Doshin e Mark Frrokun.

Në dosjen e prokurorisë vërtetohet se ka qënë Mark Frroku personi që ka inciuar alibinë e planit për eliminimin fizik të Tom Doshit.

Durim Bami siç sqarohet ka mohuar të ketë njohje me Frrokun dhe se planin e kishte bërë vetëm me Doshin, por deklarimet e punëtorëve të restorantit të Doshit dhe një ngjarje e ndodhur në Durrës, të dokumentuar nga prokuroria thonë të kundërtën.

Në dosje thuhet se: “Të pandehurit Durim Bami i kishin bllokuar një makinë me xhama të zinj, me leje qarkullimi në emër të Mark Frrokut dhe që për zhbllokimin e tij është dashur ndërhyrja e këtij të fundit brenda policisë së Durrësit, së bashku me Tom Doshin. Pas këtij momenti të tre personazhet kanë drekuar në zonë e Plazhit”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: