Teksa pret që avioni të ngrihet, maska e fluturimit të pilotit luftarak ukrainas mbulon gjysmën e fytyrës së tij, duke fshehur identitetin, por sytë e tij të zbehur ende zbulojnë një buzëqeshje gazmore. “Po, kjo është e jona,” thotë ai.

Askund në ndeshjen ushtarake mes Rusisë dhe Ukrainës, peshorja nuk është më e anuar se sa në ajër, ku Moska ka avionë më të avancuar dhe një numër të madh të tyre. Por gati katër javë pas luftës, Forcat Ajrore të Ukrainës janë ende duke fluturuar dhe gjëmuar, si avioni që vonoi intervistën e Andriy-t me CNN.
Andriy thotë se kushtet kanë ndryshuar në favor të tij dhe grupeve ukrainase.

“Tani situata po qetësohet. Shumë pilotë rusë refuzojnë të luftojnë, sepse ne po i rrëzojmë ata”, pohon ai.

Andriy pranoi të fliste me ne me kusht që identiteti i tij i plotë, grada dhe vendndodhja, informacione që mund ta ndihmonin ushtrinë ruse ta shënjestronte, nuk do të zbuloheshin. Ai fluturon me avionë Su-27 të prodhimit rus. “Unë siguroj mbështetje dhe mbulim për aviacionin që po punon në mbulimin e tokës. Fokusohem në shkatërrimin e raketave dhe aviacionit armik. Nuk mund t’ju them sa, por kam rrëzuar avionët rusë.”

Deri më tani, ai dhe shokët e tij aviatorë kanë qenë në gjendje të frenojnë epërsinë e dukshme të Rusisë me planifikim të kujdesshëm dhe taktika dinake. Andriy nuk hyn në detaje rreth asaj se çfarë përfshijnë këto strategji, por thotë se ato përfshijnë koordinim të ngushtë me forcat e tjera ukrainase dhe marrjen e disa rreziqeve ekstreme.

“Pilotët rusë fluturojnë me avionë më modernë dhe ata janë të aftë të gjuajnë raketa në distanca shumë më të largëta. Për shembull, që ne të pengojmë raketat që lëshohen në distancë prej 80 kilometrash, duhet t’i afrohemi në 40 kilometra. Nëse ata tashmë kanë gjuajtur një raketë ndaj nesh, ne disi duhet ta ndalojmë atë gjatë rrugës”, tha ai.

Dhe disa nga lëvizjet që ata po përdorin në fushën e betejës janë rezultat i trajnimit me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s.
“Disa vite më parë, ne patëm stërvitjen “Qielli i pastër” këtu në Ukrainë dhe fluturuam së bashku me avionët F-15 dhe F-16,” kujton Andriy. “Në atë kohë ne kemi zhvilluar taktika të caktuara për të penguar avionët luftarakë dhe mund t’ju them se disa nga ato taktika funksionojnë vërtet. Nuk do të thoja se niveli i trajnimit të pilotëve të tyre është shumë i lartë (i rusëve). Që kur partnerët tanë të huaj filluan të na dërgojnë pajisje të mbrojtjes ajrore të llojeve të ndryshme, të tilla si rrezet e mesme dhe të afërta, ne jemi bërë më të sigurt në ajër. Shumë pilotë rusë tani refuzojnë të vendosen sepse janë të frikësuar,” shton ai.

Që nga e marta, forcat e armatosura ukrainase pretenduan se kishin rrëzuar më shumë se 100 avionë rusë dhe 123 helikopterë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës. Megjithatë, pavarësisht se Rusia nuk ka publikuar të dhëna zyrtare për numrin e avionëve që ka humbur gjatë pushtimit, ajo gjithashtu nuk ka përditësuar numrin e viktimave që ka pësuar që nga 2 marsi. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s kanë thënë se Moska po humbet pajisje të të gjitha llojeve, përfshirë avionët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: