Nga SHABAN MURATI

Ardhja e presidentit të ri amerikan po i jep efektet e saj të para në raportet midis fuqive të mëdha, të cilat nga të panjohurat e strategjisë së re globale të Shtëpisë së Bardhë, po nxitojnë drejt sinjaleve dhe planifikimeve të reja gjeopolitike. Një sinjal i tillë gjeopolitik mund të konsiderohet njoftimi, që bëri Kina në datën 24 janar se ajo ka dislokuar raketat bërthamore ndërkontinentale në kufirin me Rusinë. Siç është në stilin e butë të diplomacisë kineze dhe në traditën diplomatike komuniste, Pekini e lëshoi këtë njoftim të rëndësishëm nëpërmjet gazetës zyrtare “Global Times”. Është një lëvizje interesante kineze, sepse ndërmerr një zhvillim strategjik ushtarak pranë kufirit me Rusinë, kur deri në momentin e tanishëm vlerësohet nga të dyja palët se po kalojnë një periudhë mjalti mirëkuptimi dhe miqësie midis tyre.

Lëvizja kineze e kapi në befasi Kremlinin, i cili nuk mund të mos shqetësohej nga ky element i ri i befasishëm dhe natyrisht jo miqësor, në dinamikën e marrëdhënieve midis dy fuqive të mëdha aziatike dhe fqinj. Befasinë ruse e dëshmon hutimi që patën në momentin e parë diplomacia ruse dhe propaganda ruse, të cilat të gjitha reaguan njëzëri me tezën autosugjestionuese se lëvizja strategjike ushtarake kineze drejtohet jo kundër Rusisë, po kundër presidentit të ri amerikan. Dimitri Peskov, zëdhënësi i shtypit i presidentit Vladimir Putin, nxitoi të deklaronte në 24 janar se Moska nuk e percepton dislokimin e raketave ndërkontinentale kineze pranë kufirit si një kërcënim për Rusinë.

Por çështja nuk është kaq e thjeshtë dhe lëvizja kineze apo sinjali gjeopolitik kinez, me vendosjen e raketave ndërkontinentale pranë kufirit me Rusinë, nuk ka të bëjë me ndonjë reagim ndaj politikës së re të ashpër, që presidenti i ri amerikan ka shpallur se do të ndjekë ndaj Kinës. Ky sinjal gjeopolitik kinez në kufijtë rusë i drejtohet direkt Rusisë. Kambana kineze po bie për Rusinë. Edhe unë e ndaj mendimin se në fazën aktuale të marrëdhënieve ruso-kineze, vendosja e raketave ndërkontinentale kineze pranë kufirit me Rusinë nuk përbën kërcënim direkt për Rusinë. Por ajo që nuk mund të fshihet dhe as të neglizhohet është fakti se ky zhvillim i ri është një sinjal direkt për Rusinë.

Në diplomaci dhe në gjeopolitikë kërcënimi është një gjë dhe sinjali është gjë tjetër. Pekini është i shqetësuar nga politika e re e ashpër, që ka afishuar presidenti i ri amerikan ndaj Kinës dhe që ka të bëjë me Tajvanin dhe politikën e një Kine, me marrëdhëniet tregtare dypalëshe apo me tensionet në detin e Kinës Jugore. Asnjë logjikë diplomatike, politike, ushtarake dhe gjeopolitike nuk mund të pajtohet me mendimin se Kina do ta bënte këtë lëvizje të raketave ndërkontinentale pranë kufirit me Rusinë, për t’i dërguar mesazh presidentit të ri amerikan. Raketat ndërkontinentale kineze pranë kufirit rus janë një sinjal i ri dhe një mesazh paralajmërues ndaj Moskës, lidhur me konturimin e ri të një marrëdhënie të re apo të një aleance të re të mundshme midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Në fjalimin e tij inaugural në 20 janar, presidenti i ri amerikan shpalli se ai do të ndërtojë aleanca të reja, pa i përmendur me emër, çka në analizat e shumë strategjistëve dhe diplomatëve, përfshirë edhe ata kinezë, është lexuar si aleancë e re me Rusinë. Kina i shqetësohet një perspektive të tillë. Pekini nuk mund ta shohë në qetësi një afrim të ri apo marrëdhënie të veçantë midis SHBA dhe Rusisë dhe e ndjen tënevojshme t’i kujtojë Rusisë problemet dhe pasojat, që mund të lindin me shtetin e madh fqinj nga një aleancë e re amerikanoruse. Pekini vlerëson se duhet t’i dërgojë Moskës, që në hapat e para të një marrëdhënie të re amerikano- ruse, mesazhin se Kina nuk do të rrijë duarkryq dhe as do të pranojë një spostim nga tryeza globale e fuqisë botërore.

Sinjali gjeopolitik kinez me vendosjen e raketave ndërkontinentale pranë kufirit me Rusinë është interesant, sepse shfaqet si një lakmues për të dëshmuar mosbesimin e thellë të brendshëm, që ekziston midis Rusisë dhe Kinës për arsye historike, gjeografike, kufitare, strategjike, ideologjike, etj. Nuk duhet harruar se dy gjigantët aziatikë kanë zhvilluar konflikt të armatosur kufitar midis tyre në vitin 1969, që zgjati disa muaj, me rreth njëmijë e vrarë dhe mijëra të plagosur nga të dyja palët dhe analet diplomatike shkruajnë se dy shtetet ishin në prag të shpërthimit të një lufte bërthamore midis tyre. Dhe të dyja shtetet e mëdha fqinje i përkisnin kampit komunist dhedrejtoheshin nga e njëjta ideologji komuniste, të cilën natyrisht e interpretonin në mënyrë të ndryshme nga njëri-tjetri, sepse të ndryshme dhe të kundërta ishin ambiciet dhe strategjia e influencës botërore të secilit shtet komunist.

Shkalla e marrëdhënieve aktuale midis Rusisë dhe Kinës padyshim është e një niveli të lartë, por miqësitë në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë të përjetshme. Kina dhe Rusia janë përpjekur që të ndërtojnë një aleancë të përbashkët që t’i kundërvihet peshës dhe rolit dominant të SHBA në punët botërore. Kina dhe Rusia kanë përputhur bashkëpunimin e tyre dypalësh dhe politikat e tyre globale me planin e krijimit të një bote shumëpolare, ku fuqia të ketë disa qendra graviteti dhe jo vetëm SHBA. Por, ky bosht rusokinez për frenimin amerikan ka qenë i pamjaftueshëm për të ndërtuar një shtrat të vërtetë besimi dhe për të davaritur mosbesimin e thellë historik dhe rivalitetin e fshehtë ndaj njëri-tjetrit. Sa më shumë janë bashkuar për të kundërbalancuar fuqinë dhe influencën botërore të SHBA në rajone të ndryshme, aq më shumë është rritur edhe shqetësimi i brendshëm se mos njëri apo tjetri po ia kalon partnerit në këtë ridimensionim shumëpolar të fuqisë botërore.

Ajo çka paraqitet vërtet interesante në planin strategjik dhe gjeopolitik, është fakti se Rusia dhe Kina nisën krijimin e aleancave dhe organizatave dypalëshe me objektivin e kundërbalancimit të SHBA dhe gjithmonë kanë devijuar në grupime shumëpalëshe, pa qenë në gjendje të arrijnë një aleancë strategjike dypalëshe. I tillë është shembulli i SCO, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait, që nisi si organizatë dypalëshe midis tyre, por si rezultat i rivalitetit të nëndheshëm ruso-kinez, u detyruan ta zgjerojnë me disa shtete të tjera aziatike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për organizatën BRICS, të krijuar nga Rusia dhe Kina, dhe e cila është larguar nga ideja fillestare dhe po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Rusia dhe Kina nuk kanë arritur dot të krijojnë atë shkallë themeltare mirëbesimi ndaj njëra-tjetrës, sa të ndërtojnë një aleancë të vërtetë strategjike dypalëshe midis tyre.

Me gjithë avancimin e madh në “marrëdhëniet e shkëlqyera”, siç i quajnë në Moskë duke folur për planin politik dhe ekonomik, nuk e gjen të thuhet i njëjti cilësim edhe për marrëdhëniet në planin strategjik. Lëvizja që ndërmerr Pekini për vendosjen e divizionit të raketave ndërkontinentale pranë kufirit me Rusinë është shprehje e një mosbesimi ndaj strategjisë dhe politikës globale të Rusisë. Kremlini e ndjeu thelbin e mesazhit kinez, ndaj u detyrua të korrigjojë reagimin fillestar propagandistik dhe të dalë në datën 25 janar me propozimin e ri të ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov, për të krijuar një trekëndësh partneriteti midis Rusisë, SHBA dhe Kinës.

Është një propozim i nxituar, i cili, megjithëse diplomacia ruse duhet të jetë e ndërgjegjshme për mungesën e realizmit në këtë nismë, ka synimin të qetësojë Pekinin për zërat rreth një aleance të re të mundshme midis Rusisë dhe SHBA. Moska nxiton t’i ofrojë edhe Kinës një vend në trekëndëshin e ri të fuqisë botërore, trekëndësh që në fund të fundit bie ndesh me konceptin e deritanishëm rus dhe kinez të botës shumëpolare. Pavarësisht se si do të reagojë Pekini ndaj nismës së re diplomatike të Moskës për trekëndëshin botëror të partneritetit, nuk duket se ajo do të qetësojë apo të fashisë mosbesimin e thellë, të brendshëm dhe strategjik, që Kina ka ndaj Rusisë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: