Të tjera detaje dalin në lidhje me masakrën që tronditi kryeqytetin, ku një grua u vra dhe u plagosën 5 persona. Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje live për News24 bëri një bilanc, ndërsa zbërtheu mekanizmin e ngjarjes.
Një kamer sigurie, në distancë ka filmuar momentin kur dy persona zbresin nga një automjet tip BMË dhe qëllojnë ndaj lokalit të Fatjon Muratit, ku për pasojë humbi jetën Mimoza Paja dhe u plagosën disa klientë dhe xhaxhai i ‘shënjestrës’ së kësaj hakmarrje mes dy grupeve kriminale.

Fill pas krimit, autorët janë larguar dhe kanë djegur makinën në vendin e quajtur “Ura e Sulë Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, ndërsa mendohet se brenda saj ka pak prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Ndërkohë Lala tha se kjo makinë dyshohet se mund të jetë vjedhur 1 vit e gjysmë më parë në Durrës, ndërsa e njëjta seri rezulton e grabitur edhe në Kosovë.

Fajton Murati një personazh me të shkuar të errët kriminale, rezulton të jetë mik i Enrik Dokles, ndërsa thuhet se është armik i mbretit të bixhozit, Ervis Martinajt, një personazh që rezulton i zhdukur. Ndërkohë, Murati është dyshuar dhe për përfshirjen e tij në masakrën e Fushë-Krujës, për vrasjen e Brilant Martinajt dhe dy shokëve të tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha, ndërsa ai u arrestua për një arsenal armësh që u gjet në zonën e liqenit të thatë. Ndërkohë në tetor të 2022-shit, ai u la në masën ‘arrest me burg’, ndërsa kjo masë u zbut krejt papritur në dhjetor të vitit të kaluar në “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Tiranës. Me herët Apeli kishte refuzuar ndryshimin e masës “arrest në burg”.

Dosja ndaj tij ndërkohë kishte kaluar për gjykim, ku ishte pranuar gjykimi i shkurtuar dhe ishte shtyre seanca për pretencën e prokurorisë. Pas vendimit të dhënë në favor të tij, personazhi në fjalë kishte qëndruar në një vilë luksoze afër lokalit të tij ku ndodhi masakra. Deri në këto momente ai rezulton i shpallur në kërkim, pasi gjatë kontrolleve të policisë, Murati nuk u gjet në banesën e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb