Aleksandar Vuçiç, president i Serbisë, nesër, 3 prill, kërkon edhe një herë besimin e popullit serb, në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale, që do të mbahen atje. Sipas deklaratave të fundit të Vuçiç, në këto zgjedhje ai i ka 50 mijë vota më pak, ngase zgjedhjet serbe nuk do të mund të mbahen në Kosovë, ku pretendon se i ka këta mbështetës.

 

Por, kush është Vuçiç, një politikan i vjetër, i cili i shërbeu edhe diktatorit famëkeq serb, Slobodan Millosheviç, në kohën kur u kryen krime të llahtarshme në Kosovë e Bosnjë?

Aleksandar Vuçiç ka lindur me 5 mars 1970 në Beograd. Në vitin 1988 ai ka përfunduar mësimet në gjimnazin “Zemunska” dhe ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Juridik, në vitin 1994.

Partisë Radikale Serbe, i është bashkuar në vitin 1993, pjesë e së cilës është edhe nacionalisti i egër, që shpreh hapur urrejtjen ndaj shqiptarëve, Vojslav Sheshel. Në po atë vit, Vuçiq u zgjodh deputet i Parlamentit të Serbisë, ndërsa në vitin 1994, ai u bë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Radikale. E ka mbajtur atë pozicion deri në vitin 2008.

Një fotografi e tij duke mbajtur birra në një prej takimeve të partisë radikale ishte bërë buje në rrjetete sociale, ku ai ishte kamarier i Sheshelit.

Vuçic u emërua Ministër i Informatave në vitin 1998 nga e ashtuquajtura Qeveri e Unitetit Kombëtar, në kohën kur Serbia po kryente dhe do të vazhdonte të kryente krime të rënda në Kosovë. Vuçiç i shërbeu me devotshmëri regjimit të Milloshevicit në kohët kur po kryeshin vrasje, përdhunime, përndjekje e dëbime të popullit shqiptar.

Në vitin 2008, Vuçiç dhe Tomislav Nikolic, themeluan Partinë Progresive të Serbisë. Në tetor të po atij viti, ai u bë zevendëspresident i partisë. Pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vitin 2012, ai u zgjodh ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i parë, me detyrën kryesore për ta luftuar krimin dhe korrupsionin në Serbi.

Pas dorëheqjes së Nikolic nga pozita e Presidentit të Partisë Progresive Serbe, dhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, ai u bë kryetar në detyrë i partisë me 24 maj 2012. Në kongresin e dytë, të mbajtur me 29 shtator 2012, ai mori frerët e Partisë Progresive.

Ndërkohë, vazhdoi të mbajë detyrën e ministrit të Mbrojtjes deri me 28 korrik 2012, kur u riorganizua e qeveria serbe.

Që nga ajo kohë, Vuçiç ka marrë pjesë në ekipin negociator në negociatat që u zhvilluan ndërmjet Serbisë e Kosovës në Bruksel. Ishte nënshkrues i Marrëveshjes së Brukselit në prill të vitit 2013. Nga shtatori i 2013-s, ai mbajti vetëm pozitën e zëvendëskryeministrit të parë.

Pas fitores së Partisë Progresive në zgjedhjet e 16 marsit 2014, ai u bë Kryeministër i Serbisë me 27 prill, prej kur nisi edhe konsolidimin e pushtetit të tij drejt një sistemi presidencial autoritar, duke kapur të gjithë mekanizmat institucionalë dhe duke censuruar shtypin e lirrë.

Pozitën e kryeministrit, Vuçiç e mbajti deri në gusht 2016, dhe pas zgjedhjeve të 24 prillit 2016, nisi një mandat të ri si kryeministër i Serbisë. Ndërkaq, pas fitores në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit 2017, ai u zgjodh President i Serbisë. Nesër, 3 prill 2022, Vuçiç kërkon edhe një herë mandatin nga serbët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb