Presidenti Ilir Meta po flet me tone të ashpra kundër qeverisë, duke sjellë në vëmendje disa nga vendimet e fundit, të votuar së fundi në atë që Kreu i Shtetit e cilëson Parlament një partiak.

Meta tha se qeveria miratoi ligjin “Anti-KÇK”, vetëm për të asgjësuar totalisht drejtësinë e re, dhe ligjin për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin e vetëm për t’i bërë kësaj gjykate kamikazët e Rilindjes.

“Dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit e zbatoi mbarë populli shqiptar. As 5% e shqiptarëve, edhe pse nën presion, edhe pse nën korrupsionin si ato përgjimet e Zogut të Tiranës, ku jepeshin lekë, nuk arritën dot të bënin letrat. Faleminderit Këshillit të Evropës, që i bojkotoi këto zgjedhje, duke thënë se “Ne nuk kemi monitoruar ndonjëherë zgjedhje të tilla një partiake”. Ata miratuan së fundi KÇK, vetëm për të asgjësuar totalisht drejtësinë e re, për ta futur nën thundrën e qeverisë dhe policisë, për të përgjuar në mënyrë mafioze këdo që denoncon dhe thotë të vërtetat për ta. Tentuan të kapin Gjykatën Kushtetuese përmes mashtrimeve.

Së fundi, miratuan në pabesi ligjin për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pak orë para mbërritjes së Komisionit të Venecias. Ky ligj u votua me qëllimin e vetëm për të futur nga oxhaku, për t’i bërë Gjykatës Kushtetuese kamikazët e Rilindjes, që betohen te Lana. Nëse dikush është i shqetësuar se pse presidenti thërret popullin për t’i kthyer sovranitetin, unë po i përgjigjem: A ka ndonjë vend në NATO apo Evropë që ka qëndruar një orë të vetme pa Gjykatë Kushtetuese? A mundet derbi i fundit Tirana-Partizani të luhet pa arbitër? A ka ndonjë vend në NATO apo Evropë që ka qëndruar një ditë të vetme pa Gjykatë të Lartë. Janë 40 mijë dosje, që duan dhe 30 vjet të shqyrtohen”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb