Policia e Shtetit ka dhënë një informacion zyrtar në lidhje me sekuestrimin e 2.6 ton kanabis në Malin e Zi. Burime zyrtare bënë me dije se në pranga kanë rënë dy persona, të cilët akuzohen për trafik droge.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se pas hekurave kanë përfunduar shtetasit Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi, ndërsa në kërkim është shpallur një tjetër. Kujtojmë se një tjetër person u arrestua ditën kur u sekuestrua droga, ndërsa bëhet fjalë për shoferin Elvis Çalik.

POLICIA E SHTETIT
Hetimet e përbashkëta mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze zbardhën tentativën për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së. Gjatë operacionit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Policinë e Fierit, janë kapur dhe vënë në pranga dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e një sasie marijuane, si dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër si bashkëpunëtor.

Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacione paraprake me homologët malazezë, dërgoi në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve nga Departamenti i Policisë Kriminale. Pas hetimeve të përbashkëta dhe një pune intensive hetimore të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, duke u përfshirë disa Drejtori Vendore, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje, identifikimi dhe lokalizimi i dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e sasisë së marijuanës të kapur në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit (Bozhaj).

Si rezultat i punës së mirorganizuar, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Fier, u bë kapja dhe ndalimi për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, i shtetasve:

A. T., 36 vjeç dhe P. Sh., 41 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër.

Nga veprimet e para rezultoi se kamioni me drejtues shtetasin E. C. ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të shtetasit P. Sh., i ndihmuar nga shtetasi A. T. dhe personi i shpallur në kërkim. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale. Vijon puna intensive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe homologët, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb