Disa detaje të reja kanë dalë për kamionin e kapur me drogë nga autoritetet e Malit të Zi në doganën e Hanit të Hotit. Policia malazeze mësohet se ka arrestuar shtetasin Pëllumb Çupi, 37 vjeç, i cili është shoferi i kamionit. Ndërkohë janë mësuar edhe disa detaje të reja rreth itinerarit dhe ngarkesës që kishte ky kamion.

Përpara të shtunë së javës së kaluar, mësohet se kamioni, i cili është i një kompanie transporti është marrë me qira nga një fermer i bimëve medicinale nga Elbasani. Kamioni nga Tirana ka shkuar në Elbasan ku është ngarkuar me bimë medicinal dhe më pas është nisur drejt Malit të Zi dhe destinacion final ka patur Gjermaninë. Mirëpo në doganën e Hanit të Hotit gjatë kontrollit me skaner autoritetet malazeze gjetën brenda tij përveç ngarkesës së bimëve medicinale edhe një sasi prej 500 kilogram lëndë narkotike e llojit kannabis sativa. Informacioni është bërë zyrtar nga policia e Malit të Zi për policinë shqiptare. Ndërkohë shoferi i arrestuar, Pëllumb Çupi ka deklaruar se ai nuk ka patur dijeni lidhur me drogën që ndodhej në kamion dhe se ka qenë thjeshtë në rolin e shoferit për të transportuar drejt Gjermanisë ngarkesën me bimët medicinale.

Policia vendore e Shkodrës ka marrë në pyetje edhe pronarin e bimëve medicinale në Elbasan, i cili edhe ai ka mohuar që të ketë lidhje me drogën e gjetur në kamion. Pronari është shprehur duke thënë se ai thjeshtë ka ngarkuar në kamion bimët medicinal dhe se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur më pas apo se si është futur sasia e drogës prej 500 kilogram brenda kamionit. Ndërkohë policia vendore e Shkodrës mësohet se ka sekuestruar kamerat e sigurisë në vendin ku është ngarkuar kamioni me bimët medicinale në Elbasan ndërsa vijojnë hetimet për të gjetur autorët e kësaj ngarkese me 500 kilogram cannabis që destinacion kishte Gjermaninë. Kjo nuk është hera e parë që kamionë me produkte të ndryshme ngarkohen në Shqipëri dhe kapen në doganat malazeze me sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike. Për momentin kalimi i sasive të mëdha të drogës përmes transportit me kamionë mbetet i preferuar për trafikantët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: