KORCE- Policia e Korçës ka arrestuar edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, të implikuar në ngjarjen e ndodhur dje, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, ku u sekuestruan 574 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva, sasi kjo e fshehur në një kamion, drejtuesi i të cilit u arrestua në flagrancë.

Një ditë më parë u arrestua në flagrancë shtetasi Eldi Zahiri, 38 vjeç, banues në Durrës, të cilit në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, iu gjetën dhe sekuestruan në mjetin tip “MAN” kamion që ky shtetas drejtonte, 574 Kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva.

Ndërkaq, ditën e sotme, nga Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Janaq Koçeli, 58 vjeç, dhe Lutfi Shabani, 45 vjeç, të dy banues në Durrës.

Arrestimi i tyre u bë pasi, nga veprimet hetimore e proçeduriale të kryera, në vijim të këtij rasti, rezulton se të dy shtetasit e mësipërm, e kryenin veprimtarinë e tyre kriminale në bashkëpunim me shtetasin Eldi Zahiri, 38 vjeç, banues në Durrës, të cilit iu konstatua lënda narkotike, në mjetin që ky i fundit drejtonte dhe kishte si destinacion Turqinë.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: