TIRANE

Policia shqiptare ka reaguar lidhur me sasinë e konsiderueshme të kokainës së sekuestruar në Maqedoninë e Veriut, e cila kaloi nga territori shqiptar. Përmes një njoftimi shpërndarë mediave, policia e shtetit thekson se ishte pjesë e këtij operacioni dhe se transporti është kryer në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

“Në përgjigje të interesimit të disa mediave, njoftojmë se Policia e Shtetit ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.

Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

Ky operacion përbën një tjetër angazhim serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe një dëshmi tjetër të besimit të partnerëve të saj në këtë luftë.”- thuhet në sqarimin e Policisë së Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: