Prestige ka zbritur në fushë mbrëmjen e djeshme me të dyja ekipet për ndeshjet e kampionatit “5×5”, aktivitet që për të tretin vit radhazi organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Skuadra e parë e Prestige e ktheu në një takim stërvitor përballjen kundër OPA-s, ndeshje e vlefshme për javën e dytë në Grupin F të Zonës së Tiranës.

Një sfidë me sens unik, për shkak të diferencave të jashtëzakonshme ndërmjet ekipeve, e fituar me rezultatin e thellë 11-3 nga Prestige.

Kjo ishte fitorja e dytë në po kaq ndeshje të zhvilluara për Prestige në këtë kompeticion.

NDESHJA – Festivali i golave u hap që në sekondat e para të sfidës, me Ademin që kaloi në avantazh Prestige. Më tej një autogol i Ramës i dërgoi shifrat në 2-0.

Branica shënoi të tretin, ndërsa Nuza me një goditje të “dhunshme” e tundi për herë të katërt rrjetën e OPA-s.

Goli i pestë pati për protagonist sërish Branicën, i cili realizoi me një gjuajtje nga distanca, duke i mbyllur praktikisht llogaritë që në gjysmën e pjesës së parë.

Goli i parë për OPA-n do të vinte nga Sako, i cili finalizoi saktë në një pozicion ballor, për të ngushtuar përkohësisht në 5-1.

Ndërsa Prestige, pas një serie shtyllash, kundërpërgjigjet me Hysenbelliun, i cili gjuan bukur, duke shënuar golin e gjashtë.

Me këto shifra mbyllet edhe pjesa e parë e takim it.

  • foto galeri
  • foto galeri

Në fraksionin e dytë, Behari ngroh disi OPA-n, duke realizuar golin e dytë, teksa lëshon një të majtë të fuqishme me topin që ndalet në rrjetë.

Me tej seria e golave vijon me Branicën, që kompleton tripletën personale, duke i dërguar shifrat në 7-2.

Goli që do të rrumbullakoste rezultatin 8-2 do të vinte pas një aksioni klasik kalçetoje, me Nuzën që finalizoi në shtyllën e dytë.

Pas një kombinimi me Ademin, Hysenbelliu realizoi golin e nëntë për Prestige.

Sako ngushtoi në 9-3, ndërsa Hysenbelliu i ktheu reston me një asist Ademit, me këtë të fundit që shënoi me finte golin e dhjetë.

Në fund ishte kapiteni Fatmir Hysenbelliu, i cili pas një asisti të Nuzës, realizoi me portën e boshatisur, duke kompletuar gjithashtu tripletën personale, për të vulosur fitoren 11-3.

Një nisje shumë e mirë e sezonit për Prestige, që vijon të regjistrojë vetëm fitore në të gjitha kompeticionet.

Ndërkohë, nga ana tjetër, OPA përtej pasionit dhe dëshirës për të luajtur futboll, e ka shumë të vështirë që të përballet taktikisht, teknikisht apo fizikisht me kundërshtarë të këtyre niveleve.

Dje gjithashtu siguroi 3 pikët e radhës edhe Prestige B, që mundi Dok Team me rezultatin 3-1, takim i vlefshëm për Grupin E. Protagonistët e golave për Prestige ishin Koldashi, Shini dhe Vasha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb