Partizani e nisi në mënyrën më të keqe mbrojtjen e kurorës së titullit kampion, teksa në javën e parë u mposhtën nga Kukësi në “Elbasan Arena”. Sot, në transfertën e dytë radhazi, skuadra e drejtuar nga italiani Franko Lerda, luante në Gjirokastër, përballë Luftëtarit, që nga ana e tij kërkonte të zhbënte humbjen e pësuar në kryeqytet 3-0 nga Tirana.

Megjithatë, disnivelet në fushën e lojës ishin të mëdha dhe të kuqtë e kryeqytetit ishin dukshëm më superiorë sesa bluzinjtë e drejtuar nga Klodian Duro. Por, pavarësisht rasteve të panumërta për shënim nga ana e 16 herë kampionëve, do të kemi vetëm një gol, atë të minutës së 15-të, kur Bruno Telushi kalibron bukur një gjuajtje me kokë në zhvillimet e një këndoreje, duke kaluar ekipin e tij në epërsi dhe duke e ndarë festën me tifozët që kishin udhëtuar nga kryeqyteti.

Edhe pjesa e dytë e lojës është fotokopje e së parës. Braun dhe Bitri kanë raste ideale shënimi, por portieri bluzi Paiteris bën mrekullinë dhe nuk lejon që humbja të bëhet më e thellë. Luftëtari përpiqet në minutat e fundit të rikuperojë diçka nga kjo sfidë, por nuk do të arrijnë të krijojnë dot raste të pastra shënimi. Do të mbyllet gjithçka në stadiumin “Gjirokastra” me rezultatin 1-0 për Partizanin, që gjen fitoren e parë në sezon, të parën në Gjirokastër pas 22 vitesh dhe bëhet gati për të pritur Flamurtarin ditën e diel. Ndërkohë, në Gjirokastër kanë ende shumë punë për të bërë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb