Benjamin Mendy nuk do të lirohet nga burgu, të paktën në vitin 2021. Ky ka qenë vendimi i gjykatës së Chester, e cila ka refuzuar kërkesën e radhës për lirimin me garanci pasurore të yllit të Francës dhe Manchester City-t.

Mendy akuzohet për përdhunimin e tre grave, një nga të cilat minorene, si dhe për një agresion seksual, ngjarje të ndodhura të gjitha gjatë vitit të fundit. Ai u arrestua në gusht nga policia britanike e cila kishte nisur hetimet prej disa kohësh ndaj tij.

Bashkë me të u arrestua edhe një person tjetër, i rrethit të ngushtë të futbollistit, i cili u lirua më pas me garanci pasurore, gjë që i mohohet aktualisht lojtarit.

Seanca e parë e mirëfilltë gjyqësore për çështjen në fjalë do të zhvillohet më 24 janar, që do të thotë se Mendy do të mbyllë vitin pas hekurave. Më 15 nëntor do të ketë edhe një tjetër seancë preliminare, por në mediat angleze bëhet e ditur se aty është thuajse e pamundur që lojtarit t’i jepet liria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb