TIRANË – Kryeministri Rama ka shpërndarë sot 2002 çertifikata pronëse në bashkinë e Kamzës, bashki e drejtuar nga demokrati Xhelal Mziu, duke u nisur sikurse u shpreh, “edhe nga një inat personal”. Ai e konsideroi këtë bashki si kryeqytetin e legalizimeve dhe paralelisht, edhe si kryeqytetin e ndërtimeve pa leje.

rama kamze

“Jemi sot këtu në prag të Vitit të Ri për t’ju dhënë ato që i keni pritur 20 vite dhe për t’ju bërë që ta kaloni Vitin e Ri në shtëpitë tuaja, por edhe me lejen e legalizimit dhe falas në dorë,- u tha Rama, qytetarëve të mbledhur në takim. – Nga një anë, për shkak të nxitjes së vazhdueshme të Pjerin Ndreut, nga ana tjetër edhe për një, – t’ja u them hapur, – inat personal timin që ju shkepën në rrena dhe i mbushët në vota në 20 vjet, arritëm të mbledhim 2002 leje për t’ua dhënë sot, sa 2002 rrena që ju ka bërë PD në 22 vjet. Se e kam pasur me inat të madh këtë punë. Se vinin dhe u thoshin mos ia jepni votat Edi Ramës, se jo vetëm që do t’ju prishi shtëpitë, por do ju kthejë nga keni ardhur. Edhe që nga viti 2005 deri në vitin 2013 ju kanë dhënë vetëm 505 leje legalizimi. Ndërsa sot, 2002 leje legalizimi, që në vitin e parë.

Edhe ata që kanë marrë ato 505 lejet, e dinë se ç’kanë hequr, “nga Xhelali tek Shaboni, nga Shaboni tek Saliu , nga Saliu tek Xhelali, nga Xhelani tek Shaboni”, – ironizoi Kryeministri më tej, – derisa iu ka dalë kat për kat shtëpia për hundësh dhe kanë marrë legalizimin, jo me pagesë, por me kapar, me pagesë, me kapak sipër e me “bisht pas filxhonit” e dini mirë juve. Ndërsa sot, 2002 legalizime bëhen falas.

Edhe për vitin 2013 mezi bënë për Paskuqanin 99 leje, nuk i bënë dot as 100. Ishte dhe fushatë. E dini pse, sepse kishin në mendje të bënin në fillim dyqanet, bizneset se megjithëse thoshin “përpara, përpara se do fitojmë”, e ndjenin që kishin ngelë mbrapa dhe u turrën që të kapin çfarë të kapin. Tani, meqë Kamza është kryeqyteti i legalizimeve dhe kryeqyteti i ndërtimeve pa leje, këtu në Kamëz ia vlen të bësh dhe një bilanc në rang Republike.

E dini se sa legalizime bëri PD në 8 vjet qeverisje në të gjithë Shqipërinë? 21.750, me shifrat e Artan Lames që mund t’i marrësh edhe shpirtin dhe një rrenë nuk e thotë dot. 21.750! E dini se sa legalizime plotësojmë ne edhe me këto të Kamzës, jo brenda një viti, por brenda 9 muajve që ka filluar të punojë edhe ALUIZNI? Se 7 muajt e parë na kaluan duke mbledhur dokumentet sa në banjë, sa në korridore, sa poshtë dollapëve që i kishin lënë zotërinjtë më përpara. Pra, kemi bërë sot bashkë me 2002 lejet e sotme, 21.000. Pra, ne në 9 muaj kemi bërë po aq legalizime dhe i kemi bërë falas, jo me lekë, sa çka bërë PD në 8 vjet.

Por Kamza nuk behet dot Europë duke i vënë emrat e rrugëve, jo Hollivudi, jo Parisi, jo Moska, jo ku e di unë. As duke i vënë sheshit kryesor emrin Sali Berisha. Nuk bëhet dot. Ka qenë një gjetje origjinale, bile kam parë dhe një rrugë “Coca-Cola”, këtu në Kamzë. Kam parë dhe një rrugë “Sarkozi”, Sarkozia akoma gjallë?! Se mirë Saliut edhe gjallë, hallall, po i vëmë edhe një emër rruge, po Sarkozisë së shkretë si iu vika një emër rruge për së gjalli?!

Për ta bërë Europë edhe Kamzën, si gjithë Shqipërinë, duhen legalizimet. Legalizimet janë hapja e rrugës, që duke pasur shtëpinë tënde me hipotekë, mund të marrësh kredi, mund të shkosh në bankë dhe të thuash unë kam këtë pasuri dhe unë dua një kredi për të hapur një biznes të vogël, për të mbështetur studimet e fëmijës, apo qoftë për të blerë dhe një makinë…”- tha Rama ndër të tjera.

RAMA NDAN ÇERTIFIKATAT E PRONESISE, SHAKA DHE HUMOR ME QYTETARET

Ndërsa Rama ka thirrur të parin në radhë për t’i dhënë çertifikatën e pronësisë, në vend të kryefamiljarit është paraqitur një zonjë, e cila i tha Ramës se Adriani ishte i sëmurë, ndaj nuk kishte ardhur. Kryeministri bëri shaka duke i thënë se ka mundësi që s’ka pasur besim, por “jepja çertifikatën se do ta bëjë optimist dhe do të ngrihet në këmbë.”

Më pas, Rama thirri një të moshuar, i cili njihej si mbështetës i PD-së, historikisht. Ai e thirri veçmas atë dhe i tha me humor: “Urdhëro çertifikatën, se e ke prej vërteti”. Dhe ndërsa i moshuari e ka falënderuar që më në fund e mori atë që desh, Rama ia kthehu me humor: “Merre çertifikatën, ja ku e ke nga “komunistët”, se unë e di që ti për ata do të votosh prapë, po vazhdo.”

Një tjetër qytetar nga Kamza pohoi se kishte aplikuar që në 2005-ën, kishte qënë ndër të parët, por kur i thanë që pronësinë do t’ia jepte Kryeministri, ai qëllimisht kishte ardhur nga Amerika.

Një tjetër qytetar, i moshuar, teksa mori çetifikatën e pronësisë, u ndal nga Kryeministri: “Merre dhe mos na thuaj këtu “Rroftë PS-ja!” Por i moshuari thirri “Rroftë PS-ja” dhe vazhdoi të mbante një fjalim që e kishte menduar më parë. Ai pati një përplasje me Ramën, që i mori mikrofonin duke i thënë” Jo, Sali Berishën nuk të le të shash, të lutem lëre tani”!

Në vazhdim, duke shpërndarë legalizimet, Kryeministri tha: “E bukura e “Rilindjes” është se po rilind edhe demokratët e ndershëm të Kamzës!”

“PËR “LLOGARITARËT” E PD: ATA 200 MIJË VETË QË PËRFITONIN NGA FASHA E ENERGJISË, I MERR PËRSIPËR QEVERIA”

Para se të largohej nga ceremonia, Kryeministri foli edhe për problemin e energjisë: “Diçka në fund lidhur me dritat. Së pari, të gjithë pensionistët kryefamiljarë, të gjitha familjet me ndihmë ekonomike dhe të gjithë personat me aftësi të kufizuar, që janë tre kategoritë për të cilat u vendos fasha mbrojtëse 300 kW/h, do të marrin nga janari dhe në vazhdim në pensionin e tyre dhe në pagën e ndihmës ekonomike ose në pagën e aftësisë së kufizuar, 650 lekë plus për të paguar faturën e energjisë dhe për të mos ta ndjerë diferencën nga heqja e fashës.

Kurse atyre llogaritarëve të PD-së, që thonë se çmimi ishte 7.7 u bë 9.5 lekë, duhet t’ja bëjmë të qartë që çmimi energjisë nuk ka qenë kurrë 7.7, ai ka qenë çmimi i fashës 300 kW/h. Fasha u vendos për këta që ju përmenda. E këta që ju përmenda, që janë afro 200.000 familje, i merr përsipër qeveria. Të gjithë të tjerët do paguajnë çmimin me 9.5 lekë. Ndërkohë që çmimi mesatar, tani që pa flasim është 9.9 deri në 10.3 lekë. Kjo është e vërteta. Pra, çmimi mesatar ulet nga 9.9 deri në 10.3, në 9.5 lekë. Të gjithë të tjerat janë rrena si puna e atyre rrenave të legalizimit, përralla të cilat u tregohen vetëm atyre që duan t’i arrin për të vërteta.

Ju u bëtë kaq vite që merreni me politikë, – se jeni marrë me politikë shumë këtu në Kamëz, – dhe besoj që keni mjaft eksperiencë, që barin e SHQUP-it ta hani se keni qejf ta hani dhe jo sepse ju thonë hajeni se nuk është bar, se është sallatë. Keni qejf ta hani, hajeni, t’ju bëjë mirë, ne do vazhdojmë t’ju mbështesim me sa kemi mundësi, por vetëm mos e hani për sallatë se ashtu do t’ju marrin për budallenj ashtu siç ju kanë marrë këto 20 vjet,” – deklaroi kreu i Qeverisë në përfundim.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb