Ish kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen me demokratët e Korçës në kuadër të zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me Ballkanin e Hapur.

Berisha ka folur kundër një tregtie pa taksa ndaj Serbisë, pasi sipas tij një masë e tillë do të prekte fermerët në vend.

“Është vulgare të flasësh për armik të jashtëm të brendshëm e me radhë, por në të gjithë kohërat kombet kanë pasur armiqtë e tyre. Nuk janë ata problemi kryesor, problemi kryesor është kur qeverisen nga qeveri që nuk mbrojnë interesat por i nënshtrohen interesave të të tjerëve
Ballkani i Hapur është shkatërrimi i Korçës dhe Shqipërisë. Sepse zotëria e tij na thotë të hapim komplet kufijtë e të vërshojnë prodhimet serbe pa tarifa, pa doganë, pa asgjë.

Një vend i cili ka fusha të mëdha, prodhues kryesor i të lashtave dhe prodhimeve bujqësore në Ballkan, që ka subvencionuar në çdo metër, njësi prodhimi më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan, i themi Korçës do përballesh me fshatarin e Serbisë. BE është me kuota.

I thotë fermerit korçar do prodhosh kaq ton patate dhe këto i ke të garantuara. I ndajnë me kuota. Në BE nuk ka qeveri që shkel mbi interesat e fermerëve të vendit të vet, asnjë fermer atje nuk del i humbur. Nuk është kjo liria e tregut. Është përllogaritja e faktorëve dhe pastaj krijon barazinë e ekuilibrin.

Në 2013 u bëmë eksportues qumështi e vezëve dhe ishte arritje. Sot jemi importues të fuqishëm qumështi dhe janë përgjysmuar lopët e racës në Myzeqe. Të hapim edhe kufijtë e të punojmë argatë në Shumadi.

Mora vetëm këtë aspekt të Ballkanit të Hapur.

Brukseli i ka theksuar se nuk mund të bëhet pa kuota e standarde. Ai nuk flet kurrë për mollët e Korçës apo ullinjtë e Vlorës. Flet vetëm për Kanabisin e drogën. kjo është bota e tij bujqësore. Nuk po ndalem në aspektin politik që është akoma se tragjik. Kosova ndjehet larg me Tiranës ky ndjehet afër me Beogradin.

Ju garantoj se Shqipëria ka çdo potencial që të jetojmë, prosperojmë e begatohemi. Nuk ka asnjë vend në rajon me pasuritë tona. Fati ynë i keq është qeveria që kemi”, është shprehur Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb