Presidenti i Republikës Bujar Nishani do të thërrasë me datën 11 nëntor mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për situatën alarmante të kanabisit.

Mbledhja është parashikuar të mbahet në Presidencë në orën 18:00 ndërkohë që burime jozyrtare pohuan për “BalkanWeb” se janë njoftuar Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreu i SHISH Visho Ajazi Lika, të cilët janë edhe anëtarë të Këshillit.

Anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Ministri i Jashtëm, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Financave, Ministri i Transporteve, kreu i SHISH, Kryeprokurori dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Gjatë vizitës në Shkodër një ditë më parë Presidenti njoftoi se shumë shpejt do të thërrasë këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Është një fenomen serioz që ka marrë përmasa kombëtare. Për shkak të marrjes së këtyre përmasave dhe shqetësimit që tashmë është jo vetëm nga agjencitë ligjzbatuese të inteligjencës të vendit por edhe ato partnere, unë së shpejti kam vendosur që të thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar në lidhje me problematikën dhe mënyrën se si ne duhet që ta përballojmë këtë sfidë serioze në vendin tonë”, u shpreh kreu i shtetit Bujar Nishani.

Pas deklaratës së tij, Kryeministri Edi Rama ironizoi Presidentin duke thënë se duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të Shqupit.

(va.ma/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: