Në Kanada ka filluar një fushatë për të evakuuar në vend mijëra përkthyes afganë dhe familjet e tyre me të cilët ushtria kanadeze ka punuar gjatë viteve që ka kryer detyrën në Afganistan në kuadër të misionit të NATO-s.

Në fushatën në të cilën thuhet se me tërheqjen e ushtarëve të SHBA-së në Afganistan rrezikohet jeta e mijëra njerëzve që kanë punuar si përkthyes për ushtarët e Kanadasë dhe të NATO-s, nga qeveria kanadeze kërkohet që këtyre personave dhe familjeve t’u japë leje qëndrimi në vend.

Fushata e kryesuar nga Dave Morrow, i pensionuar nga ushtria, vazhdon të organizohet nga llogaritë e medias sociale dhe faqja e internetit http://www.afghaninterpreters.ca/.

Në videon promovuese në të cilën Dave Morrow thekson se edhe ai vetë ka kryer detyrë në Afganistan, rikujtohet se Kanadaja me një program të veçantë emigracioni që hapi mes viteve 2009-2011 ka risjellë në vend 800 përkthyes afganë dhe familjet e tyre.

Dave Morrow, tërheq vëmendjen se mijëra përkthyes afganë që kanë mbetur pas, po luftojnë për të mbijetuar në qytetet të cilët kanë filluar të kalojnë nën kontrollin e talebanëve dhe se hapat për këtë çështje duhet të ndërmerren deri në datën 11 shtator 2021.

“Lufta më e gjatë në historinë e Kanadasë nuk mbaroi. Qindra përkthyes afganë dhe familjet e tyre ndodhen përballë vdekjeve dhe kërcënimit persekutues të talebanëve”, tha Morrow.

Kanadaja në tetor 2001 dërgoi ushtarë në Afganistan në kuadër të NATO-s dhe me një vendim që mori në vitin 2014 tërhoqi ushtarët e saj.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb