Provinca kanadeze e Ontarios ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe do t’i japë policisë më shumë kompetenca “të përkohshme” për të larguar protestuesit nga Ura Ambasador dhe qyteti i Otavës, tha kryeministri provincial Doug Ford.

Në një konferencë për shtyp, Ford tha se ekonomia po humbet qindra milionë dollarë në ditë pasi protestuesit kanë bllokuar Urën Ambasador midis Windsor-it, Ontarios dhe Detroitit.

Ura është arteria kryesore që mundëson realizimin e një tregtie të dyanshme me SHBA-në në një vlerë prej rreth 750 milionë dollarëve kanadezë (591 milionë dollarë).

Bllokimi i urës dhe kryeqytetit të vendit Otava që ndodhet në Ontario po shkakton “kaos” dhe nëse protestuesit nuk shpërndahen do të ketë pasoja, tha Ford.

“Do të ketë pasoja, ato do të jenë të rënda. Gjobat do të jenë të rënda”, deklaroi Ford.

Ai tha se moskthimi i protestuesve në shtëpi do të rezultojë në gjoba deri në 100.000 dollarë dhe një vit burg.

“Kjo nuk është më një demonstratë paqësore”, tha kryeministri, duke shtuar se situata është “absolutisht e paprecedentë”.

Ford tha se ai dhe kabineti i tij do të takohen menjëherë për të hartuar legjislacionin e ri që do t’i japë policisë më shumë fuqi për të larguar protestuesit dhe bllokadat.

“Jemi në një situatë kritike”, tha Ford, duke shtuar se ai do t’i largojë protestuesit “sa më shpejt”.

Ajo që filloi si një demonstratë kamionistësh në Otavë kundër vaksinave të detyrueshme u përhap në gjithë vendin duke tërhequr protestues të tjerë. Kërkesë e protestës u bë dhënia fund të gjitha rregulloreve shëndetësore në lidhje me COVID-19.

Otava ka qenë në një gjendje “rrethimi” për gati dy javë, pasi mijëra protestues dhe automjete kanë bllokuar qendrën e qytetit, duke paralizuar praktikisht qytetin.

Ford e karakterizoi kaosin e Otavës si asgjë më pak se marrje peng e “një qyteti me një milion njerëz”.

Ford nuk specifikoi se çfarë kompetencash shtesë do t’i jepen policisë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb