Evakuimet urgjente vazhduan të dielën në Kanadanë perëndimore, ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen, me rreth 30 mijë njerëz që janë larguar nga shtëpitë e tyre në vetëm pak ditë, një shifër “e paprecedentë” për këtë periudhë të vitit.

Të shtunën, autoritetet në provincën e Albertës u detyruan të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme dhe urdhëruan evakuimin emergjent të rreth 25,000 banorëve. Pasditen e së dielës mbetën aktive 107 zjarre në pyje dhe zona me bimësi të ulët në të gjithë krahinën, nga të cilat 28 nuk u kontrolluan nga zjarrfikësit.

“Kemi pasur pak shi të dobët në vende në pjesën jugore të provincës,” shpjegoi Christy Tucker, një zëdhënëse e shërbimeve të urgjencës të provincës, gjatë një konference për shtyp në Edmonton.

“Kjo u mundësoi zjarrfikësve të tentojnë më agresivisht në disa zona ku nuk kishin mundur të afroheshin, për shkak të sjelljes ekstreme të zjarreve”, shtoi ajo, duke shprehur lehtësimin për këtë “lajm të mirë ” .

Por kjo qetësi mjerisht nuk vlen për pjesën veriore të provincës, ku kushtet mbeten shumë të vështira, theksoi zonja Tucker.

Në luftën kundër zjarreve, autoritetet theksojnë zonat e banuara. Drayton Valley, një qytet me 7,000 banorë në Alberta, rreth 140 kilometra në perëndim të Edmontonit, ishte në mesin e komuniteteve të evakuuara.

Në Fox Lake, në veri të Albertës, flakët dogjën 20 shtëpi, një dyqan dhe një stacion policie. Banorët u evakuuan me anije dhe helikopterë.

Kushtet mbeten të paqëndrueshme dhe autoritetet thonë se është e vështirë të përcaktohet shkalla e saktë e dëmit në këtë moment.

“Në disa raste, tymi dhe kushtet na pengojnë të vlerësojmë plotësisht dëmin e pronës,” shpjegoi Colin Blair nga Alberta Emergency Management.

Kjo provincë e veçantë kanadeze, prodhimi i naftës së të cilës është ndër më të lartat në botë, “po përjeton një pranverë të nxehtë dhe të thatë dhe me kaq shumë bimësi të thatë, mjaftojnë disa shkëndija për të shpërthyer zjarre vërtet të tmerrshme”, tha Kryeministri i provincës, Danielle Smith, dje të shtunën.

Dy zjarre që mbeten jashtë kontrollit në British Columbia fqinje kanë detyruar gjithashtu banorët të evakuojnë shtëpitë e tyre dhe autoritetet kanë paralajmëruar se presin që erërat e forta t’i fryjnë ato gjatë 24 orëve të ardhshme.

Zjarrfikësit nga Ontario dhe Quebec mbërritën në provincë dhe u vendosën në fronte të ndryshme.

Prej disa vitesh, Kanadaja perëndimore është goditur vazhdimisht nga ngjarje ekstreme të motit, intensiteti dhe shpeshtësia e të cilave përkeqësohet nga ndryshimet klimatike.

Përveç përmbytjeve shkatërruese që pësoi, British Columbia u testua, dy vjet më parë, nga efektet e një “kupole të nxehtësisë”, e cila u përshkrua si “historike”, kishte marrë jetën e qindra njerëzve dhe u pasua nga zjarre të përhapura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb