Qeveria e Kanadasë njoftoi se do të konfiskonte asetet në pronësi të Roman Abramovich, një oligark rus i sanksionuar.

Sipas ministres kanadeze të punëve të jashtme, Mélanie Joly, Otava do të konfiskojë dhe ndjekë konfiskimin e 26 milionë dollarëve amerikanë nga Granite Capital Holdings Ltd., një kompani në pronësi të Abramovich. Kjo do të thotë se ministri Joly tani do të konsiderojë të bëjë një kërkesë gjyqësore për konfiskimin e asetit përgjithmonë ndaj Kurorës.

Nëse konfiskohen, të ardhurat që krijohen do të mund të përdoren për rindërtimin e Ukrainës dhe kompensimin e viktimave të pushtimit të paligjshëm dhe të pajustifikueshëm të regjimit të Putinit.

“Kanadaja do të vazhdojë të bëjë presion ndaj regjimit rus dhe atyre që kanë përfituar nga pushtimi barbar i Ukrainës nga Putini. Ndërsa ukrainasit vazhdojnë të luftojnë me trimëri për të rimarrë tokën që është me të drejtë e tyre, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të qëndruar me Ukrainën për aq kohë sa duhet”, vuri në dukje Joly.

Sipas zëvendëskryeministrit kanadez dhe ministres së financave Chrystia Freeland, oligarkët e Putinit janë bashkëpunëtorë në pushtimin ilegal dhe barbar të Ukrainës nga Rusia.

“Kanadaja nuk do të jetë një strehë për përfitimet e tyre të paligjshme dhe njoftimi i sotëm tregon vendosmërinë tonë për të siguruar që elitat ruse të paguajnë çmimin për mbështetjen e tyre ndaj regjimit brutal të Putinit. Është e drejtë dhe e përshtatshme që asetet ruse të përdoren për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës”, theksoi Freeland.

Kjo është hera e parë që Kanadaja po përdor autoritetet e saj të reja që lejojnë qeverinë të ndjekë sekuestrimin e aseteve që u përkasin personave të sanksionuar.

Kanadaja është vendi i parë i G7 që zbaton masa të tilla, duke demonstruar përkushtimin e saj të fortë ndaj Ukrainës, rindërtimin e saj dhe duke i mbajtur përgjegjës ata që kanë përfituar dhe kanë mbështetur regjimin e Putinit, theksoi Qeveria e Kanadasë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb