Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka përshkruar inaugurimin e Papa Leoni XIV si një “moment frymëzues”, gjatë një ceremonie madhështore që u zhvillua në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Një katolik praktikues dhe udhëheqës konservator, Merz mori pjesë në Meshën inauguruese përkrah dhjetëra mijëra besimtarëve dhe përfaqësuesve të lartë nga afro 150 vende të botës.
Gjatë fjalimit të tij, Papa i ri bëri thirrje për më shumë solidaritet me të varfrit dhe paralajmëroi për rrezikun e margjinalizimit të mëtejshëm të tyre në një botë gjithnjë e më të ndikuar nga interesat ekonomike. Merz shprehu mirëkuptim për tonin kritik të Papës ndaj kapitalizmit, duke e cilësuar atë si pjesë të “përgjegjësive thelbësore” që mbart kreu i Kishës Katolike.
Pas përfundimit të ceremonisë, kancelari gjerman pati një takim të shkurtër personal me Papa Leoni XIV në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku shkëmbyen disa fjalë përzemërsie. Më herët gjatë ditës, Merz u takua edhe me kryeministrin kanadez Mark Carney në Romë, me të cilin diskutoi për çështje ndërkombëtare, si lufta në Ukrainë, marrëdhëniet tregtare dhe bashkëpunimi energjetik.
Papa Leoni XIV, emri i lindjes Robert Francis Prevost nga Çikago, SHBA, u zgjodh Papë pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut më 21 prill dhe tashmë është bërë udhëheqësi i 267-të i Kishës Katolike Romake.