Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ku kanë diskutuar “përshkallëzimin aktual në konfliktin e Lindjes së Mesme”.

“Kancerlarja edhe një herë dënoi sulmet e vazhdueshme me raketa nga Gaza ndaj Izraelit dhe garantoi kryeministrin për solidaritetin e qeverisë gjermane”, tha Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares Merkel.

Seibert nuk përmendi ndonjë kritikë për provokimet e Izraelit gjatë muajit të Ramazanit apo për përdorimin joproporcional të forcës dhe sulmeve ajrore izraelite në Gaza ku u vranë të paktën 200 palestinezë, përfshirë 59 fëmijë.

“(Kancelarja) afirmoi të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet”, tha Seibert.

Qeveria e koalicionit e udhëhequr nga kancelarja Merkel ka qenë një mbështetëse e fortë e Izraelit dhe ajo vazhdimisht ka argumentuar se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit, për shkak të gjenocidit nazist të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.

Sulmet ajrore të Izraelit në Gaza

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nga java e kaluar, në sulmet izraelite në Gaza janë vrarë të paktën 200 palestinezë, përfshirë 59 fëmijë dhe 35 gra. Mbi 1.305 persona të tjerë janë plagosur dhe dhjetëra ndërtesa janë shkatërruar ose dëmtuar në ofensivën e Izraelit.

Dhjetë izraelitë po ashtu janë vrarë nga raketat e lëshuara nga Rripi i Gazës.

Tensionet e fundit që filluan gjatë muajit të Ramazanit në Kudsin Lindor u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb