Prokurori Edvin Kondili ka nisur prezantimin dhe paraqitjen e platformës së tij para KLP si kandidat për kreun e SPAK.

Kondili tha se ka aplikuar për këtë pozicion pasi ka përgatitjen profesionale, eksperiencën, motivimin dhe kurajën për ta drejtuar.

“Jam përgjigjur thirrjes nga KLP për vendin vakant të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Kam aplikuar për këtë pozicion pasi kam vlerësuar se kam të gjithë përgatitjen profesionale, eksperiencën, motivimin, por edhe kurajën për të drejtuar këtë institucion.
Kjo është një faze vendimtare për funksionimin e SPAK, si një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë në Shqipëri. Kërkon analiza të dobësive për të nxjerrë mësimet e vlefshme për të ardhmen. Nëse më jepet mundësia për të qenë drejtues i saj, angazhimi im do jetë maksimal.
Kam filluar detyrën si prokuror në 2004, pranë prokurorisë së krimeve të rënda të asaj kohe. Kam 18 vjet pa shkëputje që ushtroj detyrën e prokurorit, 15 pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Prej 2020 e në vazhdim ushtroj dhe detyrën e drejtuesit të seksionit kundër korrupsionit pranë SPAK.
Kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim një numër të madh të çështjeve penale.
Veprat penale të cilat kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim, në vlerësimin tim cilësisht dhe me sukses, kanë pasur lidhje me trafikun e armëve, vrasje të punonjësit të policisë, kryerja e veprave kriminale në kuadër të grupeve kriminale etj. Masat e dënimit që unë kam kërkuar dhe më pas janë miratuar nga ana e gjykatës, natyrisht dhe për shkak të natyrës së veprave penale kanë qenë dhe me raste në 20 vjet burgim apo burgime të përjetshme.

Kam përfaqësuar dhe çështjes mjaft sensitive. Procedimi 176/1 i 2015 ku 11 të pandehur janë deklaruar fajtorë. Procedimi penal i hetuar së fundmi nga ana ime, procedim i vitit 2019, ku hetohen 44 shtetas, 42 prej të cilëve nën arrest me burg. Janë tregues i qartë jo vetëm në eksperiencën profesionale, por edhe ngarkesën. Te pjesa e platformës kam përmendur dhe një numër tjetër çështjesh penale, të cilat janë vlerësuar nga KLP edhe në fazën e kandidimit tonë për të qenë pjesë e SPAK, pra prokuror.

Për hetimet pasurore, në një prej tyre është konfiskuar një shumë monetare prej 500 mijë eurosh.
Mund të përmend disa raste të përfaqësimit në gjykim të çështjeve penale me një numër të lartë të pandehurish, e përfunduar në 2021 në shkallën e parë dhe në 2022 në gjykatën e Apelit. Kanë qenë në gjykim 51 të pandehur. U vazhdua me dy procedime, në një prej tyre u përfundua gjykimi për 35 të pandehur për një grup të trafikut të qenieve njerëzore”, deklaroi Kondili.

“Pas 2019 e në vazhdim me krijimin e SPAK në një frymë tërësisht të re, prej muajit qershor 2020 e deri tani drejtoj seksionin kundër korrupsionit në SPAK. Seksioni kundër korrupsionit në SPAK përbëhet nga 8 prokurorë. Si drejtues i këtij seksioni, në bashkëpunim të ngushtë me BKH dhe kreun e SPAK është bërë organizimi dhe ndarja e hetuesve në BKH.
Jam personi përgjegjës për hartimin e raportimeve që lidhen me pastrimin e parave. Natyrisht dhe me kontributin tonë shpresojmë që Shqipëria të dalë sa më shpejt nga lista gri e pastrimit të parave”, tha kandidati për kreun e SPAK.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb