TIRANË

Ish-zëvendës kryeministrja Senida Mesi ka qenë e ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 për të folur për zhvillimet politike dhe protestat e opozitës. Ajo tha se protestat i shkaktojnë dëm ekonomisë dhe trembin investitorët. Mesi foli dhe për akuzat e opozitës për blerjen e votës në 2017 duke theksuar se raporti i OSBE-ODIHR ishe i qartë se nuk ka pasur blerje votash.

“Ne kemi bërë provë dhe qeverinë teknike me të gjitha kushtet që kishte zoti Basha. Negociuam, lëshuam për të legjitimuar çdo rezultat. Sot jemi në kushtet kur qeveria sigurisht që është legjitime. Raporti i OSBE-ODIHR ka qenë një nga raportet më të mira. E kam lexuar me vëmendje dhe në asnjë faqe nuk përmendet blerja e votës. Përmendet që ka parregullsi të procesit deri në 20%. Çfarë do të thotë? Një firmë, një vulë, në asnjë moment nuk thuhet se është 20% e votave të blera.
Lëvizja e votave nuk ndikon tek rezultati. Shumica e popullit na e kanë votëbesuar neve qeverisjen. Nëse opozita ka vendosur në kokën e vet të bëjë diçka antiligjore, çdo deputet ka të drejtën të japë mandatin për arsye të ndryshme. Dhënia ose dorëheqja në grup tregon papërgjegjshmëri për ata votues. Ata që kanë votuar PD dhe LSI ngelen pa zë. Ky është vendim i paprecedentë, koka bën, koka pëson”, tha Mesi.

Duke folur për zgjedhjet lokale dhe mundësinë që ajo të jetë kandidate e PS në Shkodër, Mesi deklaroi se nuk do të thoshte jo por se do të mbështeste çdo kandidat. Ajo theksoi se Shkodra ka nevojë për ndryshim.

“Shkodra ka nevojë ndryshimin. Pas 28 viteve bashkia Shkodër ka pasur vetëm një lidership. Ka ardhur koha që qytetarët të provojnë një lidership tjetër. Ka ardhur koha që dhe Shkodra të pësojë ndryshimin rrënjësor. Janë 28 vite që Shkodra ka ngelur e pazhvilluar. Natyra i ka falur mrekulli, por shoh që bashki të tjera janë zhvilluar edhe pse nuk kanë pasuritë e sah. Nuk e kam kërkesë por nuk do thoja jo. Do punoja për ekipin dhe çdo individ që PS do shpallte si kandidat për kryebashkiak.
Duhet një kandidat që gjeneron pëlqyeshmërinë popullore në masë, jo domosdoshmërisht të majtë. Kandidati duhet të jetë konsensual. Jo që PS të fitojë por si domosdoshmëri e atij qyteti për të parë një zhvillim”, deklaroi Mesi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: