Analisti Fitim Zekthi i ftuar në studion e News24 në rubrikën “Opinion” ka folur në lidhje me zhvillimet brenda Partisë Demokratike pas çështjes së vulës dhe logos së PD që u vendos nga Gjykata e Apelit.

Ai tha se sa i përket ish-kryetarit Lulzim Basha, regjistrimi i largimit të këtij të fundit nuk është finalizuar pasi për këtë veprim do duhet të regjistrohet kryetari i ri i Partisë Demokratike në regjistrin e partive, gjë që do kërkojë zgjedhje.

Zekthi deklaroi se Alibeaj duhet të ftojë kandidatët e dala nga procesi i Primareve më herët për t’iu bashkuar atij dhe për të pasur mundësinë të kandidojnë në zgjedhjet e 14 majit.

Sakaq, Zekthi zbuloi se sa i përket selisë së PD-së, e cila sipas tij është uzurpuar nga lëvizja e foltores së Sali Berishës, do ketë përpjekje nga ana e Alibeajt që të mos krijohen konflikte dhe të merren ambiente të reja për zhvillimin e aktiviteteve të demokratëve.

“Basha dha dorëheqjen para një viti, por që të regjistrohet largimi i tij duhet që në regjistrin e partive të regjistrohet kryetari i ri i PD-së dhe për këtë duhet të kemi zgjedhje brenda partisë. Përderisa nuk kemi kryetar të ri nuk është zyrtarizuar largimi i Bashës. Është thjesht një procedurë rutinë pa vlerë politike.

Në mbledhje u tha që më në fund gjithçka u sqarua nga gjykata dhe tani nuk ka arsye konflikti, ai mund të vazhdojë, por nga pikëpamja formale kjo është zgjidhur dhe nuk ka kthim pas. Vendimi i Apelit e ka mbyllur këtë. Berisha i bën këto për të mashtruar ndjekësit e tij duke thënë që do e çojnë çështjen në gjykatë ndërkombëtare.

Konflikti për në është gjë e shkuar dhe tani që u zgjidh duhet të gjejmë mënyrën për të bashkëpunuar dhe të kemi nga një kandidat në çdo bashki. Alibeaj në cilësinë e kryetarit duhet të ftojë kandidatët e Primareve të Berishës. U la mundësia që kandidatët që garuan te Primaret të konsiderohen si kandidatë për të qenë kandidatë. Në politikë ka negociata dhe përpjekje për të negociuar, antipolitika është bindja e verbër që nuk pranon asnjë kompromis. Lëvizja e foltores së Berishës ka qenë dhe është e tillë, Alibeaj për mua është një politikan i mirë. Ka raste dhe kontakte me njerëz që kanë qenë me Berishën dhe duan të kthehen. Një pjesë mendonin se i takonte logoja Berishës, por kur gjykata tha të kundërtën ka njerëz që kanë reflektuar. Nuk besoj se është për të larë gojën kjo ftesë.

Berisha përdor hiperbolën shpesh dhe i përsërit në mënyrë të vazhdueshme. Është tipar bazë i tij. Ai mendon se është vetëm ai dhe audienca dhe nuk ka mendim tjetër. Berisha e ka të theksuar këtë dhe prandaj ai edhe ndërtoi një lëvizje të tillë bolshevike dhe prodhoi dramë brenda PD-së. Ai tha që zonja Kim për interesat e saj personale po shkatërron PD-në.

Supozojmë se është kështu, po Berisha e bën këtë për arsye personale? Njerëzit nuk hyjnë në një fushë të veprimtarisë njerëzore me idenë se të tjerët janë armiq. Gjithçka e mirë i përket Berishës dhe të këqijat i takojnë të tjerëve. Basha e Alibeaj janë pengje, Rama kontrollon, etj. Kjo gjuhë ka rrënjë të thella në lëvizjet totalitare. Njerëzit që nuk duan të fitojnë por të mbijetojnë përdorin hiperbolën. Kjo është fatkeqësi e politikës shqiptare në tërësi, e kanë pasur të gjithë në sasi të ndryshme. Berisha nuk ka më arsye serioze për të synuar të bëjë politikë në të mirë të Shqipërisë, por të bëjë antipolitikë sepse ajo i shërben atij.

Padyshim që fryma kundërshtuese e bolshevike e Berishës nuk është shumicë, një gjuhë e tillë që shikon komplote gjithandej është paranoidale. Kjo ndodh sepse nuk pranohet gjendja e shoqërisë që nuk të pranon. Në vend që të kesh një sjellje të ndryshme që të pranohesh përdor gjuhën asimiluese dhe shkatërruese. Unë mendoj se do varet nga Alibeaj dhe PD për të kuptuar zgjedhjen më të mirë për njerëzit. Është vonë por jo shumë vonë. Ne kemi nevojë për një alternativë të së djathtës konservative, edhe Berisha e thotë këtë por shan. Nëse përdoret gjuha me shpifje e komplote synohet mbijetesa, ndërsa një gjuhë që nuk e shikon pushtetin si një objekt për epshin e vet jep një zgjidhje.

Shqipëria ka përjetuar shumë konflikte të shëmtuara. Selia ku ndodhet Berisha sot i takon PD-së dhe aty do jenë zyrat e drejtuesve. Me sa kam informacion që të mos hyjmë në konflikte nuk do shkojmë atje. Do përpiqen të marrin ambiente të tjera. Zyrat janë tulla e dërrasa e llaç. Nuk kanë rëndësi ato. Zyrat janë kot fare. Nëse do të punosh punon. Duhet që aty të rrijnë zyrtarët, por kjo nuk ndodh sepse është uzurpuar nga lëvizja e foltores deri sa të kuptojnë që ajo që bëjnë është pa kuptim”, u shpreh ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: