TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas caktimit të datës për protestën e radhës kombëtare me 25 maj në orën 19:00, tha para mediave se detyra kryesore e opozitës është që të vijojë betejën kundër kësaj qeverie, të cilën e cilësoi si juntë ushtarake që po rrezikon rendin demokratik.

Lideri demokrat përmendi edhe disa emra nga Partia Socialiste, të cilët sipas tij, kanë ndërhyrë për të caktuar kandidatët në bashkitë e vendit. Ai tha se Abedin Uruçi në Kukës dhe Ymer Lala në Dibër kanë probleme të theksuara me ligjin, ndërsa ftoi mediat të hapin arkivat  mbi të shkuarën e tyre.

“Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit. Skenari tjetër është që Shqipëria të bie si demokraci dhe natyrisht ne këtë skenar nuk mund ta pranojmë dhe betejën do të ngremë çdo ditë e më shumë, për të mposhtur këtë grusht shteti dhe këtë juntë. Zgjedhje me 30 qershor nuk do të këtë. Ne si opozitë iu kemi borxh qytetarëve të jemi në ballë të kësaj proteste. Vlera e një qeverie është kur zbatohet kushtetuta e ligji dhe nuk ka shans që shqiptarëve t’ju imponohen përdhunues dhe vrasës. Kandidatë në kundërshtim me ligjin nuk mund  të kandidojnë.

Në fakt për shumicën e tyre provat kanë dalë dhe janë bërë publike, pavarësisht në disa raste disa media i shërbejnë amnezisë. Kjo është një thirrje të nxjerrin arkivin dhe t’i marrin  me radhë se kush janë këta kandidatë. Vrasës me pagesë si Abedin Uruci, Imer Lala, të jemi në këtë betejë aq sa mundemi. Sa  të mundeni hapni arkivin se këta janë të denoncuar me emër dhe mbiemër tash e pesë vite.

Ymer Lala është kriminel, Bedri Hoxha është ish deputetet i PD dhe në mënyrë absolute i bëj thirrje çdo demokrati të Matit të braktisë çdo përpjekje të tyre, sepse, çdo motiv që mund të ketë ai, që nuk ëhstë konsultuar me Partinë Demokratike, kthehet në një fasadë të Juntës së krimit. Kaq e thjeshtë është.

Nuk ka e nuk do të ketë asnjë mbështetje. Por nuk është problemi Bedri Hoxha. Problemi është media grykëmbyllur që më kërkojnë mua prova për kriminelët që kam 5 vjet që i denoncoj. Prandaj këryre mediave u bej thirrje të shikojnë arkivat. Dhe nëse ju pengojnë të shikoni arkivat, na informoni që të denoncojmë me emër dhe mbiemsr ata që ju pengojnë të shikoni arkivat. Unë e di se edhe ju nuk e keni të lehtë.Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Basha, por ne shpalosim programin politik” tha mes  tjerash Basha.

Fjala e plotë:

Pyetje: Çfarë u vendos në mbledhje, zoti Basha?

Gjatë ditës së sotme forumet e larta të Partisë Demokratike si dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi, pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe pas kapjes së prokurorit të përgjithshëm.

Sot, e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, për atë që e pret në rast se zbardhen dosjet hetimore, të cilat provojnë, përmes përgjimeve të prokurorisë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe një grushti politikanësh të kupolës së organizatës së “Rilindjes”, në bashkëpunim me krimin e organizuar, për të vjedhur zgjedhjet në Dibër, si provë gjenerale, për të kaluar pastaj në vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-s.

Sot gazeta më e madhe, me tirazhin më të madh në Evropë, gazeta gjermane “Bild” ka bërë jo vetëm një panoramë realiste të gjendjes tronditëse të Shqipërisë, si narkoshtet, të qeverisë që sillet si bandë, si gangster është fjala që përdor gazetari, por ka zbuluar diçka që organet ligjzbatuese në Shqipëri, dhe jo vetëm, e dinë prej kohësh, që në dosjen 184, në përgjimet e Dibrës figuron vetë Edi Rama, duke komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë, duke u konfirmuar, duke u siguruar, se skenari i manipulimit zgjedhor, i vjedhjes së votave, i brutalizimit të votuesve është zhvilluar pikërisht sipas porosive të tij.

Pyetje: Zoti Basha, zonja Gjylameti është shprehur se shkrimi është paguar nga paratë e pisëta të Partisë Demokratike. Keni ndonjë koment?

Lulzim Basha: Zonja Gjylameti do të ishte së bashku me zonjën Spiropali dhe zonja të tjera, ndër të pandehurit kryesorë, sepse vetë zonja Gjylameti është pjesë e dosjes 184, ndërkohë që zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së hetimit të Xibrakës. Kështu që njerëzit në konflikt interesi nuk mund të përbëjnë asnjë burim të besueshëm, as për median, as për qytetarët. Përtej të shkretës Gjylameti, që ja kanë ngarkuar këtë mision të pamundur, për të përgënjështruar gazetën më të madhe të Evropës, e vërteta që mbetet është kjo: nuk ka njeri në Evropë që s’e ka marrë vesh se Edi Rama ka blerë zgjedhjet e vitit 2017, në bashkëpunim me krimin e organizuar. Parlamenti është produkt i votës së diktuar nga krimi, e ka diktuar krimi këtë parlament dhe këtë qeveri. Jemi pra në kushtet e grushtit të shtetit.

Në këto kushte, në vend që t’i hapë rrugë kërkesës mbarëpopullore për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie tranzitore, me detyra të përcaktuara qartë, Edi Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin. Kjo duket qartë në listën e kriminelëve dhe vrasësve që ka futur në partinë e tij dhe në partitë e tjera të krijuara nga ai, për të dhënë fasadën e zgjedhjeve. Në mbi gjysmën e bashkive të vendit do të ketë kandidatë vetëm kupola kriminale e “Rilindjes”, vrasës, përdhunues, trafikantë droge, shokët e Elvis Rroshit që mbeten akoma në Bashkinë e Krujës, si Artur Bushi me shokë, kandidatë të tjerë të zgjedhur me dorë nga banda e abdylajve në Shijak, nga Ymer Lala në Dibër, ku kemi një rekord, se Ymer Lala ka caktuar edhe kandidatin e PS-së, edhe kandidatin e Bashkimeve Profesionale të PS-së, të dy janë përcaktuar nga Ymer Lala. E dinë të gjithë dibranët. I pari është kandidati fillestar që Ymer Lala caktoi dhe pastaj e tërhoqi, dhe është një nga protagonistët e dosjes 184, i dyti, ish-sekretari i Partisë Demokratike të Dibrës, i evidentuar për fat të keq edhe si njeriu i blerë i Ymer Lalës, dhe për këtë arsye edhe i shkarkuar nga funksionet e tij në degën e Partisë Demokratike. Pra, shikoni çfarë zgjedhjesh do bëjnë, të dy kandidatët i cakton Ymer Lala, edhe atë që do të mbajë siglën e PS-së, edhe atë që do të mbajë siglën e bashkimeve profesionale të PS-së.

Pra, është e qartë se zgjedhje nuk do të ketë. Edhe formalisht, vendi është me një regjistër të gjendjes civile të masakruar nga njerëzit e caktuar për këtë punë nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, regjistri i adresave është i masakruar, mbi 1,4 milionë shqiptarëve ju kanë skaduar kartat e identitetit. Edhe nga pikëpamja formale, zgjedhjet me 30 qershor nuk mund të mbahen. Natyrisht nuk mund të mbahen nga pikëpamja politike, se nuk ka zgjedhje. Shqiptarëve do tu ofrohen vrasës, përdhunues ose ushtarë të vrasësve dhe të përdhunuesve dhe njerëzve të korruptuar si Vangjush Dako me shokë. Vet nuk garoi dot, se është duke negociuar si do ti shpëtojë hetimeve me Edi Ramën, dhe ka caktuar se kush do të garojë.

Këtu e ka sjellë Shqipërinë bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin.

Pyetja është, tani që na ndajnë 45 ditë nga 30 qershori, se çfarë do të ndodhë? Do të pranohet që grushti i shtetit të çohet deri në fund, dhe në Shqipëri të instalohet tirania e krimit në të gjitha nivelet? Sepse kjo jo vetëm do të instalonte tiraninë e krimit në pushtetin vendor, por do të çimentonte edhe tiraninë e krimit në qeverisjen qëndrore. Apo do të ketë një përballje totale popullore për ta mposhtur me të gjitha mjetet dhe format e tjera, tiraninë e krimit!

Vendimi unanim i opozitës është përballje popullore me të gjitha format dhe mënyrat. Që do të thotë: se nga ky moment, ne jemi e do të jemi, çdo ditë e çdo minutë bashkë me qytetarët, të bashkuar si asnjëherë më parë, siç e patë në protestën e ditës së hënë dhe protestën e ditës së shtunë, në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet, deri sat ë diktojmë kthimin te demokracia, kthimin tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Asgjë nuk mund të kurshet në këtë betejë. Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje, do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit, sepse skenari tjetër është që Shqipëria, përfundimisht të bjerë si demokraci, të bjerë si shtet i së drejtës dhe të kthehet edhe de jure në juntë kriminale. Natyrisht ne këtë skenar nuk mund ta lejojmë. Ne këtë skenar nuk mund ta pranojmë, dhe jam i bindur se me gjithë shqiptarët e ndershëm, betejën do ta vazhdojmë ditë për ditë, duke e intensifikuar dhe duke e ngritur çdo ditë e më lart, derisa ta mposhtim këtë skenar ogurzi. Këtë grusht shteti dhe juntën kriminale që do të asgjesojë, jo thjeshtë zgjedhjet e 30 qershorit, sepse zgjedhje me 30 qershor nuk do të ketë, por do të asgjesojë kurajon dhe shpresën e shqiptarëve për një të ardhme më të mire. Kësaj nuk do t’ja dalë, dhe ne si opozitë ju kemi borxh qytetarëve shqiptarë të jemi në ballë të kësaj beteje dhe në ballë të kësaj beteje do të jemi.

Pyetje: Zoti Basha, nëse bini në një kompromis politik për një qeveri tranzitore dhe për të zgjidhur të gjithë ato problem që ju parashtruat, si do ti ndaloni këta kandidatë të maxhorancës nëse ata nuk kanë precedent penalë? Me çfarë mekanizmi do ti ndaloni edhe nëse bini në kompromis dhe zgjidhni problematikat që thatë?

Lulzim Basha: Vlera e një qeverie që i bindet Kushtetutës dhe ligjit, jo Ymer Lalës dhe Emiljano Shullazit, është se zbaton Kushtetutën dhe ligjin. Nëqoftëse se zbatohet Kushtetuta dhe ligji, nuk ka shanc që shqiptarëve të ju imponohen hunj gardhi të krimit, përdhunues dhe vrasës. Në këtë moment do të jenë shqiptarët që me votën e lirë, do të vendosin mes kandidatit më të mirë.

Por një gjë është e sigurtë: kandidatë në kundërshtim me ligjin, kriminelë, vrasës, përdhunues, nuk mund të kandidojnë. Ata kandidojnë sot, si pjesë e këtij skenari criminal, sepse në pushtet nuk është populli, por është junta kriminale e Edi Ramës.

Pyetje: Zoti Basha, a keni prova ju për këta kandidatë kriminelë që thoni ju dhe nëse po, kur do ti bëni publike?

Lulzim Basha: Në fakt, për shumicën e tyre provat kanë dalë, janë bërë publike dhe pavarësisht se në disa raste, disa media i shërbejnë amnezisë në favir të shqiptarëve që i grabiten shqiptarëve dhe u jepen pronarëve të këtyre mediave.

Prandaj kjo është një thirrje për ato media që nuk i djeg miza nën kësulë, të nxjerrin arkivin, të mos presin të dal vetëm unë këtu port ë bëjnë dhe ata punën e tyre, jo ju, se ju e bëni, ndalet diku ajo punë, dhe ti marrin me rradhë këtë kandidatë. Të shikojnë se kush janë këta kandidatë! Se problemi është që, jo vetëm paratë që u grabiten shqiptarëve dhe u jepen mediave, luajnë një rol këtu, por edhe kur ky nuk është rasti, terrori i juntës së krimit është i tillë, që ju bën ti thoni trafikantëve të drogës, biznesmeni X, biznesmeni filan. E keni parasysh? Ka dramë më të madhe se sa mediat kryesore të vendit ti drejtohen vrasësve me pagesë, si Abedin Oruçi, vrasës me pagesë i Partisë Socialiste, sot kandidat i Bashkimeve Profesionale të Partisë Socialiste, si biznesmen? Vrasës si Ymer Lala, si biznesmen?!

Pra, le të jemi në këtë betejë bashkë, për aq sa mundeni, se kjo betejë është për të ju çliruar edhe ju si media të lira. Edhe ata pronarë që nuk janë bërë pjesë e tepsisë, ata pak që nuk janë bërë pjesë e tepsisë. Sa të mundeni, hapni arkivin dhe do të shikoni se këto janë të denoncuara me emër e mbiemër, tash 5 vjet nga Partia Demokratike.

Pyetje: Cili është komenti juaj për Bedri Hoxhën që kandidon si i pavarur?

Lulzim Basha: Pse duhet të bëj koment unë për atë?! Nuk kam asnjë koment për të, shkoni e pyeteni atë. Çeshtja nuk është këtu, çështja është te kriminelët, vrasësit, përdhunuesit dhe trafikantët që ka kandiduar Edi Rama dhe Bashkimet e tij Profesionale. Kjo është çështja, thuaj atij që ta jep pyetjen në kufje. Nuk i shmangen pyetjes, shumë mirë ka bërë. Bravo i qoftë. Nuk thashë asnjë fjalë për të.

Pyetje: Po ju pyes çfarë mendoni për të?

Unë mendoj se çdo media e ka për detyrë të zbulojë dhe vetë se kush janë këta njerëz, në veçanti nëse ne e kemi thënë të parët. Nuk kam shpresë që Report Tv do ta bëjë këtë, dhe ky nuk është faji juaj si gazetare. Por, ndërkohë që unë jam duke thënë këtë problem, çdo përpjekje për të bërë diversion ndaj këtij problem, është shërbim ndaj krimit.

Ymer Lala është kriminel, Bedri Hoxha është ish-deputetet i PD dhe në mënyrë absolute i bëj thirrje çdo demokrati të Matit të braktisë çdo përpjekje të tyre, sepse, çdo motiv që mund të ketë ai, që nuk është konsultuar me Partinë Demokratike, kthehet në një fasadë të Juntës së krimit. Kaq e thjeshtë është. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë mbështetje. Por nuk është problemi Bedri Hoxha. Problemi është media grykëmbyllur që më kërkojnë mua prova për kriminelët që kam 5 vjet që i denoncoj. Prandaj këryre mediave u bej thirrje të shikojnë arkivat. Dhe nëse ju pengojnë të shikoni arkivat, na informoni që të denoncojmë me emër dhe mbiemër ata që ju pengojnë të shikoni arkivat. Unë e di se edhe ju nuk e keni të lehtë.

Zoti L. Basha, Martin Heinze ka thënë se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen në shtator ose në tetor. A është e mundur kjo?

Lulzim Lulzim Basha: Nuk bëj komente mbi deklaratat e askujt. Pak rëndësi ka nëse bëhen në shtator apo në tetor. Rëndësi ka që sot ne ndodhemi në një betejë për jetë a vdekje. O do të ketë një plan si ky që ka vënë Rama ne lëvizje me kriminelë dhe të emëruar të krimit në gjysmën e bashkive vetëm të një partie, në gjysmën tjetër edhe të Bashkimeve Profesionale të asaj partie, pra njerëz të sponsorizuar në këtë drejtim, ose do të ketë një fitore të demokracisë, lirisë për çdo shqqiptar, që do t;i hapë rrugë zgjedhjeve vërtetë të lira e të ndershme. Këtu është beteja sot dhe në funksion të saj, lajmi që merrni nga PD është që ne do të jemi në ballë të kësaj beteje ditë për ditë. Protesta e ardhshme kombëtare është thirur për të shtunën e datës 25 maj, 10 ditë prej protestës së sotme.

Pyetje: Do të jetë një protestë me Molotov zoti Basha?

Lulzim Lulzim Basha: Ambrozia, ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune, por mos prit që Lulzim Lulzim Basha të jetë komandanti i baballarëve, që u ka vënë kryqin tek shtëpia Edi Rama, i vëllezërve, motrat 3-vjecare të të cilëve i ka helmuar me gaz Edi Rama apo i fëmijëve të prindërve që Edi Rama u theu kockat se donte t’u grabiste shtëpitë, që t’u vidhte 40 milionë euro shqiptarëve dhe të mos shpronësontë as banorët e ligjshëm. Këto janë vetëm 3 skandale. Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Lulzim Basha. Zemërimi popullor vetëm do të rritet. Detyra jonë është vetëm të parashtrojmë zgjidhjen politike dhe të thërrasim shqiptarët ta mbështesin këtë kauzë, gjë që e kanë bërë në mënyrë të paprecedentë dhe madhështore, për të cilën përkulem me mirënjohjen më të thellë ndaj tyre, si për protestën e 11 Majit, ashtu edhe për protestën e 13 Majit. Jam i sigurtë që këto do të tejkalohen si në masivitet, ashtu edhe në vendosmëri nga protesta e 25 Majit.

 

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb