Akademiku Artan  Fuga, me anë të një statusi në “Facebook” ka komentuar futjen në listën e kandidatëve për deputetë të forcave politike, të emrave të rinj.

Fuga thekson se ndryshimi i njerëzve nuk ndryshon partitë, duke shtuar se duhet që të demokratizohen institucionet.

Postimi i akademikut Artan Fuga:

Historia përsëritet: Ne në kohën politike sot jemi në vitin 1975

———————————

Asgjë nuk ndryshon nëse hiqen ca deputetë të vjetër dhe zëvendësohen me emra që ndonëse nuk kanë qenë deritani deputetë, janë përsëri të vjetër, ose edhe qofshin të futur rishtazi në politikë.

Ndryshimi i njerëzve nuk ndryshon as partitë dhe as qeverisjen si sistem. Pa u demokratizuar tërësia e institucioneve, si Kuvendi, qeveria, ligja elektorale, pushteti lokal, etj., ndryshimi edhe i 130 deputetëve nuk sjell asgjë.

Eshtë njësoj si të ndryshosh pasagjerët e një veture me motorr të prishur!

Madje ndryshimi i disa emrave, që edhe vetë atyre as s’u bëhet vonë që ikin nga Kuvendi pas  disa mandatesh, me rroga të mira, me pensione të përjetshme, ndihmon madje që sistemi të duket i ri ndërkohë që është një ahur me ajër mbytës.

Ndryshimi i emrave është thjeshtë një teknikë për të hequr disa që duken tejet të lodhur, pa pikë interesi për të vazhduar, ndofta edhe që dinë gjëra në kujtesë dhe duhen qërruar, apo edhe që nuk kanë respektin e duhur për Bosin nga fakti se koha ta bjerr reputacionin, ose që edhe dyshohen për “dredhje bishti” me armikun e klasës, si edhe për t’i hedhur hi syve elektoratit duke i krijuar iluzionin se njerëzit e rinj sjellin ndryshime!

Ishte njësoj sikur të besohej se në 1975, pas shpartallimit të grupeve armiqësore, sihariq i madh, ardhja e elementëve nga baza do të sillte freskinë e sistemit. Në fakt sistemi hyri në krizën finale, të degjeneruar dhe shkoi drejt shpërthimit të vet.

Ardhja e të rinjve, rishtarë, shton dozat e rreshtimit! Një pjesë e tyre nuk kanë përvojë politike, një pjesë nuk ja kanë haberin nga politika ose nga administrimi social, disa janë thjesht hidrahulikë, elektriçistë, marangozë, – po të marr shprehjen e përdorur në Lezhë – dhe sa të kuptojnë ata se ku janë dhe çfarë po bëjnë – sistemi piramidal është bërë edhe më piramidal. Pushteti piramidal bëhet i jashtëzakonshëm. Maja dhe populli, si në kohët e vjetra të nostalgjisë moniste, ku deputetët janë veçse vegla pa zë, hiqen vihen pa asnjë problem!

Pjesa dërmuese e tyre nuk vjen me ndonjë ide të re, ose me ndonjë propozim të ri që ta ketë mbrojtur publikisht!

Thjesht vjen si emër, me një trup, dhe një dorë për ta ngrit dhe ulur!

Ne sot në kohën politike jemi si në 1975!

Koha po rrjedh mbrapsht!

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb