TIRANE – Kandidatët për specializantë në mjekësi protestuan gjatë paradites para fakultetit të tyre, duke bllokuar hyrjen e shkollës. Shkak i protestës është bërë ndryshimi i kriterit të gjuhës së huaj, sipas rregullores së re të miratuar nga Rektorati. Ky i fundit ka vendosur të mos njohë më dëshmitë që lëshon Fakulteti i Gjuhëve të huaja, por vë si kusht të regjistrimit në konkursin e specializimit, pasjen e dëshmisë së gjuhës së huaj mbi nivelin B2, dëshmi që ofrohet vetëm nga shkollat private.

Protestuesit shkuan dhe më tej duke akuzuar Ministrinë e Arsimit dhe Rektoratin e Mjekësisë se kanë ndryshuar qëllimisht rregulloren për arsye korruptive, për të favorizuar studentët që vijnë nga shkolla jo publike.

Një tjetër pikë e kontestuar me forcë nga kandidatët është edhe ndryshimi i formulës në përllogaritjen e mesatares nga ajo aritmetike në mesatare të ponderuar.
Protesta ka patur edhe momente tensioni, kur disa prej mjekëve që protestonin bllokuan automjetin e Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, e cila është detyruar të zbresë nga makina dhe të vijojë rrugën në këmbë për në Ministrinë e Arsimin, pa dhënë asnjë deklaratë për mediat.

Më pas, protesta e mjekëve të rinj është spostuar para Ministrisë së Arsimit, ku janë pritur nga drejtues dhe ekspertë të këtij institucioni. Burime nga kjo ministri sqarojnë se kriteri i gjuhës së huaj është propozim i bërë nga Universiteti i Mjekësisë, bazuar në ligjin e arsimit të lartë të vitit 2010, miratuar nga Senati dhe më pas është miratuar në Ministrinë e Arsimit. Ndërsa për të gjithë ata qe nuk janë futur në shkollë me sistem kreditosh, do të bëhet ponderimi në bazë të orëve.

Sipas rregullores së re, aplikantët kanë kohë deri të premten për tu bërë pjesë e konkursit për specializimet në mjekësi, i cili do të zhvillohet në datën 22 dhjetor. Në total janë 300 kuota për specializantë të kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: