“Korrupsioni është “thembra Akilit” në gjithë krizën e varfërisë që ka pushtuar vendin”- kështu shprehet Agron Shehaj, drejtuesit politik të fushatës së PD-së për zgjedhjet e 25 prillit, sipas të cilit ky duhet të jetë edhe thelbi ku duhet përqendruar lufta dhe përpjekjet për zgjidhjen e kësaj krize.
Në emisionin “Kjo javë” në Neës 24, me gazetaren Nisida Tufa, Shehaj tha se e sheh luftën ndaj korrupsionit si çelësin për zgjidhjen e një varg problematikash madhore që kushtëzojnë jetët e shqiptarëve gjithë këto vite.
“ Problem kryesor në Shqipëri është korrupsioni. Lufta kundër korrupsionit është një betejë që fatkeqësisht e kemi humbur në këto 30 vjet, por që mbetet e vetmja betejë e rëndësishme që i jep zgjidhje problemit të Shqipërisë. Ne do të shkojmë përtej klientelizmit, korrupsionit, lidhjeve politike. Ajo çka ofron Partia Demokratike nuk është thjeshtë ndryshimi i kryeministrit, të ndryshojmë një qeveri për të vendosur një qeveri tjetër. Ne do të ndryshojmë mënyrën e qeverisjes”, – tha Shehaj duke theksuar se thelbi i ndryshimit është largimi njëherë e përgjithmonë nga modeli i ofruar deri më sot, duke ndërtuar një qeveri që punon për qytetarët dhe ju shërben atyre, dhe jo një qeveri që punon për një grup të caktuar njerëzish.
(BalkanWeb)