Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev nëpërmjet një videoje i ka bërë thirrje shtetasve maqedonas që jetojnë në Shqipëri të votojnë Edi Ramën dhe Vasil Sterjovskin, maqedonasin që kandidon në qarkun Korçë.

“Të dashur maqedonas, qytetarë të Republikës së Shqipërisë, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 25 prill, dhe një nga kandidatët në listën e Partisë Socialiste, mikut tim të dashur Edi Rama, është edhe Vasil Sterjovski, një maqedonas”, shprehet Zaev.

Zaev deklaron se kandidati Sterjovski ka përfaqësuar gjithmonë interesat e maqedonasve në parlamentin shqiptar dhe se ka qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj rolit të tij si deputet.

“Vasili ka qenë deputet në kuvendin e Shqipërisë në dy vitet e fundit dhe është përfaqësues i vërtetë i interesave të maqedonasve që jetojnë në Shqipëri,”- shtoi ai.

Ndër të tjera ai nuk ka harruar të përmendë se maqedonasit në Shqipëri janë mënyra më e mirë për të lidhur bashkëpunimin mes dy shteteve.

” Maqedonasit në Shqipëri dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë ura e bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe unitetit. Dita kur Vasil Sterjovski u bë deputet në parlamentin shqiptar ishte historike. 25 prilli është gjithashtu një ditë e rëndësishme, dita kur ju do të votoni si maqedonas në Republikën e Shqipërisë që Vasili të vazhdojë misionin e tij për të perfaqësuar maqedonasit në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë”, tha Zaev.

Kandidati për deputet nga minoriteti maqedonas në Shqipëri, Vasil Sterjovski, ka shpërndarë videon e mesazhit të Zaev, që iu bën thirrje shqiptarëve që të votojnë Ramën më 25 prill.

“Faleminderit, Kryeministër Zoran Zaev, për mbështetjen Tuaj.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vlerat të përbashkëta evropiane.

Së bashku në betejat e reja për të drejtat, prosperitetin, integrimin dhe zhvillimin ekonomik!”, shkruan Sterjovski.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: