Nesër, sipas mbledhjes së fundit më datë 2 mars, do të vijojnë punimet e Asamblesë të FSHF-së, ku sipas rendit të ditës, do të zgjidhet presidenti i FSHF-së dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Por kandidati për president i FSHF-së, Dritan Shakohoxha, kërkon moszhvillimin e Asamblesa, duke parashtruar arsyet.

KËRKESA E SHAKOHOXHËS

Së fundmi, më datë 02.03.2022, Federata Shqiptare e Futbollit, organizoi dhe zhvilloi mbledhjen e paralajmëruar të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, në mosrespektim flagrant dhe të qëllimshëm të Vendimit nr. 5727/4, datë 10.02.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë që ndalonte zhvillimin e kësaj mbledhjeje, si dhe të Urdhrave të përmbarimit nr. 1179/1, datë 22.02.2022 dhe nr. 1179/4, datë 24.02.2022, dalë në zbatim të tij.

Ditën kur u zhvillua mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, ishte ende në fuqi Vendimi nr. 5727/4, datë 10.02.2022, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim gjyqësor e humbi fuqinë e tij juridike vetëm dy ditë më pas, më datë 04.03.2022, kur Gjykata vendosi pushimin e gjykimit të çështjes, si pasojë e tërheqjes së papritur nga kërkesëpadia, që paditësi “Akademia “Luftëtari”” bëri më datë 01.03.2022. FSHF, në dijeni të plotë të këtij fakti, vendosi gjithsesi të organizojë dhe të zhvillojë punimet e Asamblesë e Përgjithshme e FSHF-së, duke vepruar kështu në kundërshtim të plotë me një vendim gjyqësor.

Ndërkohë, për më shumë se një muaj, duke filluar nga data 03.02.2022, Presidenti i UEFA-s, z. Alexander Ceferini dhe delegacioni i posaçëm i UEFA-s (z. Luca Nicola, z. Luka Zajc, z. Yann Hafner) zhvilluan një sërë takime me Kryeministrin e Shqipërisë, Kryetarin e Bashkisë Tiranë,

Presidentin e FSHF-së, disa drejtues dhe punonjës të FSHF-së, si dhe përfaqësuesit e disa prej klubeve të futbollit që kishin ngritur paraprakisht një sërë shqetësime dhe kishin bërë disa padi në Gjykatë në lidhje me parregullsitë e procesit zgjedhor të organizuar nga FSHF dhe disa Shoqata Rajonale të Futbollit. I vetmi person që nuk u takua nga delegacioni i posaçëm i UEFAs dhe nuk u dëgjua kurrë në lidhje me pretendimet e tij për parregullsi në procesin zgjedhor (për të cilat kam bërë dhe kallëzim penal) isha unë z. Dritan Shakohoxha, kandidat për President i FSHF-së.

Shako

Sipas njoftimeve zyrtare të FSHF-së, të datës 14.02.2022, 15.02.2022 dhe 16.02.2022, delegacioni i posaçëm i UEFA-s, pasi të njihej me të gjitha problematikat dhe pretendimet epalëve dhe pasi të shqyrtonte të gjithë dokumentacionin e procesit zgjedhor, do të përgatiste një raport të detajuar që do të t’i paraqitej Presidentit të UEFA-s, Kryeministrit të Shqipërisë dhe FSHF-së. Deri më sot, ndryshe nga sa ishte premtuar dhe deklaruar zyrtarisht, UEFA dhe delegacioni i saj ende nuk kanë bërë publik qëndrimin e tyre zyrtar në lidhje me problematikat dhe pretendimet e palëve, si dhe rregullshmërinë ligjore dhe statutore të procesit zgjedhor të zhvilluar nga FSHF dhe Shoqatat Rajonale të Futbollit. Deri më sot, UEFA dhe delegacioni i saj, nuk kanë bërë asnjë deklaratë për ekzistencën dhe dorëzimin e ndonjë raporti te Presidenti i UEFA-s, Kryeministri i Shqipërisë dhe FSHF.

Misioni zyrtar i UEFA-s, përfundoi papritmas pa asnjë deklaratë, pa asnjë raport dhe në heshtje të plotë të një qëndrimi në lidhje me parregullshmëritë e pretenduara nga palët. Rezultati i vetëm i dukshëm i misionit të UEFA-s në Shqipëri, ishte tërheqja e papritur më datë 01.03.2022 e klubeve “Albanët” dhe “Akademia “Luftëtari”” nga kërkesëpaditë e tyre në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një takimi jo publik që delegacioni i UEFA-s së bashku me Presidentin e FSHF-së zhvilluan më datë 28.02.2022, në të cilin Shqipëria u kërcënua se do të përjashtohej nga UEFA në rast se nuk tërhiqej nga kërkesëpaditë e saj në Gjykatë.

Asnjë argument, asnjë provë, asnjë zgjidhje. Thjesht një kërcënim i pastër për lëshimin e një ‘bombe atomike’ ndaj sportit shqiptar, në mbrojtje të interesave të një njeriu të vetëm dhe në dëm të aspiratave të ligjshme të një komuniteti dhe madje populli të tërë, që tashmë e dinë shumë mirë fuqinë që ka korrupsioni në sportin e futbollit dhe aleancat e tij.

Pra dukshëm, misioni i vërtetë i delegacionit të UEFA-s, nuk ishte evidentimi i parregullsive në proces, por sigurimi përmes kërcënimit i një mandati të ri të Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka.

Ndërkohë, misioni im si kandidat për President i FSHF-së, mbetet i njëjtë dhe i pacenuar, as nga kërcënimet personale dhe familjare që më janë bërë gjatë kësaj kohe dhe as nga kërcënimet e UEFA-s dhe avokatëve të mirëpaguar të saj për përjashtime të Shqipërisë nga UEFA.

Në fakt, duke menduar atë se çfarë realisht ka përfituar deri më sot komuniteti sportiv shqiptar nga fondet e UEFA-s, kërcënimi për përjashtimin e Shqipërisë nga UEFA duket më shumë si një kërcënim për drejtuesit aktualë të FSHF-së që menaxhojnë dhe përfitojnë fondet e saj, se sa një kërcënim për vetë ekipet e futbollit në Shqipëri, të cilat ende nuk arrijnë të zgjedhin dhe përfaqësohen lirshëm dhe në mënyrë demokratike dhe transparente dhe jo më të arrijnë të njohin dhe të miratojnë raportet e veprimtarisë financiare të FSHF-së që flasin për mirëmenaxhim të këtyre fondeve.

Duke i qëndruar besnik asaj çka unë kam shprehur dhe kam bërë gjatë kësaj periudhe në fushatën time si kandidat për President të FSHF-së, si dhe duke besuar fort në faktin që problemi më i madh nga i cili vuan komuniteti i futbollit në Shqipëri është pikërisht pamundësia e organizimit dhe vendimmarrjes së tij të lirë nga klani i cili e ka mbërthyer dhe e shfrytëzon atë deri në pikën e fundit për më shumë se njëzet vjet, ndihem i detyruar që tashmë ta vazhdoj këtë mision i bindur që përmes veprimeve të mia demaskuese do arrij shumë shpejt që të bind jo vetëm Gjykatën, por edhe UEFA-n dhe FIFA-n për domosdoshmërinë e rivendosjes së një procesi zgjedhor në shinat e ligjshmërisë.

Ndërkohë që komuniteti i futbollit në Shqipëri ka vite që e ka krijuar një bindje të tillë. E vetmja arsye se përse unë do të vazhdoj të ngulmoj në përballjen time me këtë maskaradë tëkeqorganizuar zgjedhore është fakti që pikërisht ky është problemi kryesor i komunitetit tëfutbollit në Shqipëri.

Pamundësia deri në ekstrem e zgjedhjes së përfaqësuesve të tij dhe emarrjes së vendimeve në mënyrë të lirshme dhe të pakontrolluar. Një proces i kontrolluar deri në detaj nga një dorë e vetme dhe e gjithëpushtetshme.

Një virus i kahershëm që tashmë parashikon dhe kontrollon në avancë mendimin, vendimin dhe fatin e çdo klubi futbolli. Në vazhdën e kësaj përballjeje, duke shprehur paraprakisht që në lidhje me këto shkelje të kryera nga FSHF dhe drejtuesit e saj unë do ti drejtohem Gjykatës dhe Prokurorisë, ndihem i detyruar që të kërkoj paraprakisht, nga FSHF dhe nga shumë prej personaliteteve të futbollit në Shqipëri dhe ekipeve të futbollit që ata përfaqësojnë, që më datë 15.03.2022, ata të shmangin dhe bojkotojnë zhvillimin nga FSHF të një procesi zgjedhor fals, të paligjshëm, jo statutor, jo demokratik, jo transparent dhe të manipuluar.

FSHF nuk mund të zhvillojë mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të saj dhe Asambleja e Përgjithshme nuk mund të marrë asnjë vendim të ligjshëm për aq kohë sa:

– Komisioni i Verifikimit të FSHF-së, ka përllogaritur shpërndarjen e 26 delegatëve që i përkasin tetë Shoqatave Rajonale të Futbollit, jo duke u bazuar në metodologjinë e shpërndarjes së mandateve të përcaktuar në nenin 3, pika 1, të Shtojcës B, të Statutit të FSHF-së, por në një metodologji jo statutore, të paqartë dhe jo transparente;

– Komisioni i Verifikimit të FSHF-së, ka përllogaritur shpërndarjen e 26 delegatëve që i përkasin tetë Shoqatave Rajonale të Futbollit, jo duke u bazuar në të dhënat faktike të regjistrit të OJF-ve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke kaluar deri në absurditetin e dhënies së 3 delegatëve Shoqatës rajonale të Futbollit Lezhë, ndërkohë që kjo shoqatë nuk ka ende të regjistruar në Gjykatë asnjë anëtar me të drejtë vote;

– Në përzgjedhjen/votimin e 26 delegatëve që i përkasin tetë Shoqatave Rajonale të Futbollit kanë marrë pjesë dhe kanë votuar edhe 26 klubet pjesëmarrëse në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore dhe Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë, ndonëse sipas përcaktimit të bërë në nenin 28, pika 2, germa “a”, të Statutit të FSHF-së, këtyre klubeve nuk u lejohej që të kishin më shumë se 1 delegat, pavarësisht faktit nëse ato marrin pjesë edhe në një ose më shumë gara të futbollit profesionist, futbollit amator ose futbollit te femrave; dhe

– Asnjë prej 37 anëtarëve të FSHF-së (që përfaqësohen në total nga 55 delegatë) nuk ka të drejtë vote as në Asamblenë e Përgjithshme të zhvilluar më datë 02.03.2022 dhe as në atë që pritet të zhvillohet më datë 15.03.2022, për aq kohë sa asnjëri prej tyre nuk ka respektuar detyrimin e përcaktuar në nenin 92, të Statutit të FSHF-së, për ndryshimin e detyrueshëm të Statuteve të tyre respektive;

– Prokuroria është ende duke hetuar për konsumimin nga ana e disa prej drejtuesve të FSHF-së të një sërë veprave penale që lidhen me këtë proces të paligjshëm zgjedhor të organizuar nga ana e tyre dhe në lidhje me këto hetime, ekzistojnë tashmë edhe disa vendime gjyqësore penale, përmes të cilave këta drejtues janë pezulluar nga ushtrimi i detyrave të tyre funksionale në FSHF.

Zgjidhjet artificiale dhe të sforcuara juridike që drejtuesit e FSHF-së kanë tentuar që ti japin parregullsive në proces, duke shfrytëzuar dhe përdorur si argument kryesor heshtjen e UEFA-s, thjesht kanë përkeqësuar akoma dhe më shumë paligjshmërinë e këtij procesi, fati i të cilit tashmë do të duhet të përcaktohet vetëm përmes një vendimi Gjyqësor.

Sa më sipër, në konfirmim të vendosmërisë time si kandidat për President të FSHF-së për të demaskuar dhe zhbërë këtë maskaradë zgjedhore, mediatikisht, gjyqësisht, penalisht dhe përmes informimit të instancave të tjera më të larta të futbollit ndërkombëtar, kërkoj nga ana juaj si FSHF dhe nga ana e disa prej personaliteteve të futbollit në Shqipëri dhe ekipeve të futbollit që ata përfaqësojnë, që më datë 15.03.2022, ata të shmangin dhe bojkotojnë zhvillimin nga FSHF të një procesi zgjedhor fals, të paligjshëm, jo statutor, jo demokratik, jo transparent dhe të manipuluar, duke marrë menjëherë masat për ripërsëritjen e procesit zgjedhor dhe respektimin korrekt të përcaktimeve përkatëse ligjore e statutore.

Unë do vazhdoj të flas dhe demaskoj atë që një komunitet i tërë futbolli nuk flet dhe nuk demaskon dot hapur në Shqipëri por aq shumë e kërkon dhe e pret! Me besim në të ardhmen e futbollit shqiptar, Dritan Shakohoxha!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb