Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e ka përmendur Kosovën gjatë fushatës së tij elektorale në Michigan.

Biden ka kujtuar se në Kosovë një rrugë ka marrë emrin e djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin e tij.
Ai ka folur edhe për përmendoren e ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton që ndodhet në Prishtinë.

“Pas një viti të qëndrueshëm kur shërbeu si zyrtar ligjor i SHBA-së, shkoi në Kosovë – o baba, do të jem baba tipik – atje është një përmendore prej mbi 3.5 metrash kushtuar atij, një rrugë e rëndësishme që ata ndërtuan – Rruga ‘Beau Biden’. për përkushtimin e tij. Biri im u kthye në atdhe me një tufë medaljesh (për shërbim), si shumë të tjerë, para se ta humbte jetën”, tha Biden.

Më 6 qershor të vitit 2016, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që rrugës nacionale Gjilan – Ferizaj t’ia vë emrin “Beau Biden”. Kjo ishte bërë me propozim të kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafës.

Mustafa, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kishte thënë se emërtimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme të Kosovës me emrin e Beau Biden, ishte diskutuar në të gjitha nivelet dhe ishte një disponim i përgjithshëm që përmes këtij vendimi të tregohet falënderimi dhe mirënjohja për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçmas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: