ITALI- Në një lidhje telfonike për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ kandidati shqiptar për deputet në Itali, Emiliano Biraku ka folur për ecurinë e zgjedhjeve të së dielës si dhe rezultatet paraprake.

Emiliano Biraku, i cili kandidon me Partinë Demokratike të kryeministrit Mateo Renzi dhe bën pjesë në koalicionin e majtë tha se priste një rezultat më të mirë të partisë që ai përfaqëson. Sipas tij, votuesit mbështetën partitë e krahut të djathtë dhe ato populiste, pasi këto të fundit kanë një urrejte ndaj emigrantëve.

“Unë prisja rezultat më të mirë. Fitorja e partive të krahut të djathtë dhe atyre populiste bazohet vetëm në një pikë, e cila është urrejtja ndaj emigrantëve që kanë ardhur vitet e fundit në Itali si dhe përçarja e së majtës. Ne kemi fituar kur e majta ka qenë e bashkuar dhe duhet reflektim”- tha Emiliano Biraku.

Kujtojmë se janë 4 kandidatë shqiptare në listat për deputetë në Itali. Votat e numëruara dëshmojnë se koalicioni i Silvio Berlusconit ka siguruar shumicën e vendeve në Dhomën e Ulët të Parlamentit, duke llogaritur të marrë diku tek 248-268, por jo 316 vendet e nevojitura për një mazhorancë të qartë.

Koalicioni i qendrës së majtë i drejtuar nga Partia Demokratike, deri më tani në pushtet, renditet i treti me 107-127 të projektuara në dhomën e ulët. Pas humbjes kryeministri Mateo Renzi ka dhënë dorëheqjen.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb