TIRANË

Dekani i Fakultetit Juridik Artan Hoxha ka qenë i ftuar sot në “Opinion” në News24 ku ka folur për situatën në Universitetin e Tiranës dhe objektivat e tij për të drejtuar këtë universitet .

Hoxha tha se UT ka 4 vite që e ka humbur normalitetin dhe se Rektori aktual e ka drejtuar institucionin më të madh të vendit të mësimdhënies si një institucion tipikisht shtetëror duke humbur autonominë. Ai vlerësoi rivalen e tij në këtë garë, Mimoza Hafizi dhe tha se është gati për një komunikim me të duke mos preferuar ta cilësojë përballje.

Për çfarë ka nevojë Universiteti i Tiranës?
Nevojat e UT janë të shumta. Kemi specifikat që na janë krijuar në këto 4 vite në drejtimin që ky universitet ka pasur. Duhet të kthehet urgjentisht në ligjshmërinë e autoritetit  të rektorit dhe vendosjen në normalitet të administrimit të këtij institucioni. Ka 4 vite që e kemi humbur këtë normalitet. Rektori aktual e ka drejtuar institucionin më të madh të vendit të mësimdhënies e ka drejtuar si një institucion tipikisht shtetëror dhe jo ashtu si kushtetuta parashikon dhe ligji për arsimin e lartë për autonominë e brendshme institucionale, të kërkimit, mësimdhënies e funksionimit. E kemi humbur këtë autonomi të brendshme. Është një luftë e gjatë që bëjmë me rektorin e universitetit. Kthimi i ligjshmërisë të veprimtarisë së institucionit është një nga orientimet e para të miat. Këtu kam avantazhin se jam jurist në një kohë të gjatë, e njoh administrimin e universitetin dhe nga pikëpamja e një administratori dhe dekani sot të fakultetit të Drejtësisë. Mendoj se rikthimi i autonomisë së brendshme institucionale, respektimi i funksioneve të departamenteve, funksionimi i të gjitha organeve që ligji dhe statuti i UT në nevojë për të drejtuar dhe zhvilluar institucioni dhe respektimi i çdo pedagogu dhe nevojave të studentëve janë imperative sot në drejtimin dhe në rivlerësimin e funksionimit të UT.

Mosmarrëveshjet mes rektorit dhe bordit të administrimit…mendoni se është një ngërç i ligjit?
Në Shqipëri ka një problem përgjithësisht që ligjet shkruhen dhe zbatohen ndryshe nga si shkruhen. Ligje perfekte nuk ka por ajo që është me rëndësi është si sillesh me ligjin. Ajo që ka ndodhur në UT dhe që është konflikti aktual mes bordit të administrimit, administratorit dhe rektorit dhe në asnjë mënyrë me strukturat e tjera akademike, vjen për shkakun se rektori ka dashur të marrë funksionet e administrimit, ka lidhur kontrata të cilat nuk janë në autoritetin e tij dhe se ka dashur t’i ketë të gjitha pushtetet dhe ato akademike dhe administrative. E ka hequr një barrë për autoritetet akademike dhe organet akademike, ato që kanë të bëjnë me administrimin, me financat, duke ndërtuar, ose duke përmirësuar dhe nga ligji i mëparshëm organet e administrimit.  Zgjedhjet më tha një mik janë zgjidhje, kështu që me zgjedhjet, mendoj se do kemi dhe zgjidhjet. Një rektor se e di se kush është funksioni i tij, nuk ka pse të hyjë në mosmarrëveshje dhe në konflikt funksional dhe kompetence me autoritete dhe organe që kanë funksionet dhe kompetencën e tyre ligjore. Nuk besoj, nëse do jem rektori i ardhshëm i UT se mes institucionit të rektorit dhe atij të administratorit dhe bordit të administrimit të ketë konflikte si ato që Universiteti i Tiranës ka pasur këto 4 vite të administrimit që ne po lëmë.

A mendoni se kandidatët për rektorë, dekanë e kanë kohën e nevojshme për të paraqitur platformat e tyre?
Kushtet e pandemisë orientojnë në një mënyrë tjetër të zhvillimit të këtij procesi. Mendoj se të gjithë kandidatët në të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese të UT, nuk besoj se dalin nga hiçi në kandidimin e tyre. Kush ka menduar se mund të jetë dekan, drejtues departamentit, anëtar i senatit apo rektor ka një platformë të tijën dhe se ata i kanë diskutuar paraprakisht me grupet e interesit, me pedagogë, me departamente. Që dalin si kandidatë, dalin jo nga hiçi por nga një proces paraprak.

Mendoj se ky proces do vijojë normalisht, periudha e pandemisë na stërviti dhe sa i përket mënyrës së komunikimit në distancë për mësimdhënien që për herë të parë e zhvillonim në mënyrë masive në distancë dhe me studentët dhe personelin. Kështu që këto janë mekanizma që do përdoren besoj nga të gjithë kandidatët për të komunikuar me pedagogët, me studentët dhe për të paraqitur platformat e tyre e për t’i diskutuar ato. Kemi faqet tona përbërë të universitetit për informacione ku mund të postohen dhe programet, komunikimi elektronik me mediat sociale dhe me grupe jo të mëdha në ambiente me distanca të përcaktuara kandidatët do kenë takime të vazhdueshme.

Pak më të vështirë besoj se do ta kenë kandidatët për rektorë sepse iu duhet të kenë më shumë takime.

Ku do të fokusohet fushata juaj?
Dhe unë si të tjerët do ndjek të njëjtën linjë të komunikimit me personelin akademik dhe studentët. Për sa i përket objektivave të mia do përdor dhe komunikimin masiv, besoj shumë që në këtë periudhë 1 mujore në studiot e televizioneve do shohim shumë kandidatë për rektorë e dekanë. Do jetë një mënyrë që të informojnë jo vetëm votuesit e tyre por edhe opinion publik për nevojat, zhvillimin e institucioneve publike, sfidat që kanë, sfidat që i presin, vështirësitë me të cilat hasemi dhe me nevojën për t’u zhvilluar brenda tyre dhe për të realizuar misionin që kanë.

Ka një fokusim të madh edhe mediatik tek UT, është lënë pas dore që këto zgjedhje nuk janë vetëm në UT. Është vetëm një nga 12 institucionet publike të arsimit të lartë por me të drejtë tërhiqet vëmendja sepse është institucioni më i rëndësishëm publik i arsimit të lartë në vend, me një traditë, me një emër, me fushat që mbulon, që nxjerr në mënyrë masive, ata që marrin përsipër zhvillimin e vendit dhe ku bëhet më shumë kërkim shkencor por dhe për faktin që është një institucion me problematika në 4 vitet e fundit, duket sikur zgjedhjet po zhvillohen për rektor në UT por në fakt janë për qindra autoritete dhe organe drejtuese në të gjitha universitetet dhe institucionet publike të arsimit të lartë.

Rektori i UT sot është kthyer kundër të gjithë strukturës që ai ka drejtuar duke përdorur mekanizma që nuk i bëjnë nder një akademiku dhe Universitetit të Tiranës. Pafundësisht kallëzon personel akademikë, duke i çuar në gjykatë dhe duke u munduar të drejtojë nëpërmjet frikës dhe presionit sepse do ketë një pasojë nëse nuk përputhet vullneti i tij me atë të personelit të tij.

Organet e drejtësisë janë treguar korrekte, të paanshme, të pavarura. Të gjitha paditë e zotit Koni, jo ndaj meje personalisht por shumë autoriteteve dhe së fundit dhe kundrejt KIZ-it përfundimet e organeve të drejtësisë kanë qenë në dëm të interesave të zotit Koni dhe në favor të autonomisë dhe legjitimitetit të funksionimit institucionit. Është një fyerje e madhe për pedagogët tanë që rektori me kod pune pushon nga puna të gjithë anëtarët e KIZ-it sepse KIZ-i ushtroi detyrimet që rregullorja i ngarkon. Ne kemi ligj për arsimin e lartë që mund të jetë i debatueshëm por nëse ka një gjë shumë të mirë është statusi i pedagogut dhe mbrojtja e tij në detyrë. Ka një ligj specifik se si një pedagog zhvillohet në karrierë, se si mbrohet në vendin e punës. Përdorimi i kodit të punës për largimin nga puna…largohet nga puna Majlinda Keta… që një personazhi që po jep shumë kontribute me kod pune kur ka një ligj që e garanton pedagogun. Është më i garantuar se një gjyqtar e pedagog. Janë momente që shpresojmë shumë t’i kalojmë dhe të përfundojnë zgjedhjet dhe që më datë 30 korrik të kemi të konstituara të gjitha organet të këtij institucioni.

A do të pranonit një përballje mediatike me Hafizin?
Patjetër, është pjesë e proceseve zgjedhore. Ka një keqkuptim të madh. Të tërë njerëzit janë mësuar me zgjedhje parlamentare, politike, me kundërshtarë, armiq me njerëz që o janë në njërin krah o në tjetrin. Zgjedhjet akademike janë të veçanta. Ne, edhe unë edhe pr. Hafizi nuk është se do përfitojmë personalisht nga qenia rektor në UT, të dy dhe unë dhe znj.Hafizi e kuptojmë se është përgjegjësi e madhe të marrësh drejtimin e UT. Diskutimi, përballja është përballje akademike.
Zonja Hafizi është e nderuar në gjithë atë që ka bërë dhe unë do komunikoj me të, jo do përballem me të.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb