Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave me inicalet, Z.K dhe D.SH, për kryerje të veprave penale, “krime të luftës kundër popullatës civile”. Në një komunikatë për media, kjo Prokurori ka thënë se i pandehuri, Z.K., ka shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civilë, si pjesëtar i forcave policore serbe, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, më 26 mars të vitit 1999, i pandehuri në fjalë ka marrë pjesë në sulmin kundër 19 anëtarëve të nacionalitetit shqiptar në fshatin Nerodime e Epërme, të cilët nuk kanë qenë pjesë e konfliktit të armatosur. “Gjatë këtij aksioni, i pandehuri përveç tjerash ka marrë pjesë në maltretimin e anëtarëve të kësaj familjeje, shkatërrimin e pasurisë se tyre, dëbimin nga vendbanimi i tyre, rrëmbimin dhe vrasjen e civilëve O.N., B.N., A.N dhe B.N., anëtarë të kësaj familjeje”, është thënë në komunikatë, shkruan Rel.

Ndërkaq, i pandehuri D.Sh. akuzohet se më 1 prill të vitit 1999, ka urdhëruar që të varrosen, trupat e pajetë të O.N., B.N., A.N., B.N dhe I.R, të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, teksa ka vepruar në cilësinë e inspektorit policor.

Prokuroria ka thënë se trupat e personave të përmendur janë varrosur “pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb