Kryetari i PD, Sali Berisha, teksa ka bërë publike disa projekte të rëndësishme të infrastrukturës, që do të vihen në zbatim pas fitores së 11 majit, ka akuzuar qeverinë se koncesionet janë korruptive fund e krye.
“Të gjitha akset e mëdha rrugore në 2005-2013 u ndërtuan me kompani të mëdha evropiane dhe amerikane. Të gjitha, nga Hani i Hotit në Gjirokastër, kudo. Kishte nënkontraktorë shqiptarë, por inxhinieringu, projekti ishin ndërkombëtare. Kostot shumë herë më të ulëta. Cilësia shumë herë më e lartë.
Këto janë përjashtuar tërësisht. Një kompani e huaj nuk mund të marrë pjesë në tendera, përveçse kur do Edi Rama si në rastin e tunelit të Llogarasë që e skonton kompaninë me 130 milionë euro ofertë dhe kontrakton kompaninë me 180 milionë euro ofertë”, tha Berisha.
Duke u fokusuar tek transporti hekurudhor, Berisha tha se në gjendjen aktuale ku është, rrjeti hekurudhor është mjeran.
“Transporti mujor hekurudhor është qesharak. Është 300 deri në 400 pasagjerë sepse është disfunksional. Kanë tre vjet që punojnë për hekurudhën Tiranë-Durrës, e kanë inauguruar, se këta inaugurojnë shumë jherë, po hekurudha mbetet aty ku është”, u shpreh kreu i PD, Sali Berisha.
Ai tha se rrjeti do të përtërihet dhe PD do të ndërtojë linjë hekurudhore me Kosovën. “Ideja e një hekurudhe Kosovë-Shqipëri është një ide e hershme e Perandorisë Otomane dhe pas perandorisë, e marrë shumë seriozisht nga austriakët.
Ajo është një hekurudhë aq e leverdishme sa Rruga e Kombit. Ajo është një hekurudhë e cila e shndërron, ashtu siç ka pozicionin gjeografik, në epiqendrën kryesore të transporteve në drejtim të vendeve të tjera të Ballkanit.
Fatmirësisht në këtë drejtim ka studime dhe veçanërisht pas firmosjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Uashington, ky projekt u rizgjua”, u shpreh Berisha.
(BalkanWeb)