Drejtuesit e automjeteve në Berat janë përballuar ditët e fundit me një trafik tejet të rënduar në të gjitha akset që përshkojnë qytetin. Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në rrugë, duke e bërë vështirësish të qarkullueshëm hyrjen në qytet dhe daljen prej tij, edhe pse forca të shumta të policisë rrugore kanë qenë të pranishme në çdo aks.

Berati është një qytet që përshkohet nga vetëm një rrugë kryesore (hyrëse e dalëse) dhe kjo ka bërë që makinat të bllokohen në trafik me minuta të tëra. Sipas policisë rrugore, ardhja e emigrantëve për të festuar pranë familjeve festat e fundvitit, ka sjellë edhe shtimin e numrit të mjeteve në rrugë, ndërkohë që një tjetër problem është mungesa e Unazës së qytetit, që i detyron të gjitha automjetet, madje edhe ato me tonazh të rëndë, të kalojnë në të vetmen rrugë që përshkon Beratin.

Një tjetër faktor që ndikon në bllokimin e trafikut në qytet, sipas policisë, është edhe mungesa e sinjalistikës rrugore dhe mungesa e semaforëve. Vetë drejtuesit e mjeteve shprehen se, ata përballen çdo vit kur vijnë me pushime me këtë situatë të rënduar të trafikut në qytet. Sipas drejtuesve të mjeteve, trafiku krijohet për shkak të mungesës së një rruge dytësore që do të shmangte lëvizjen e panevojshme në qendër të qytetit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb